Të huajt dhe të plagosurit rëndë sot mund të largohen nga Gaza përmes Egjiptit(VIDEO)

Egjipti, Izraeli dhe Hamasi, të ndërmjetësuar nga Katari dhe në koordinim me Shtetet e Bashkuara, arritën një marrëveshje evakuimi.

Është arritur një marrëveshje për të lejuar shtetasit e huaj dhe disa civilë të plagosur rëndë në Rripin e Gazës të largohen nga zona, raportoi Reuters.


Agjencia shton se nuk ka një afat kohor se kur do të hapet kalimi Rafah, në kufirin me Egjiptin.

Rreth 80 autoambulanca nga Egjipti kanë mbërritur sot në vendkalimin Rafah në kufirin me Rripin e Gazës, për të pritur palestinezët e lënduar, raporton CNN.

Pacientët do të jenë palestinezët e parë që do të lejohen të largohen nga Rripi i Gazës që nga fillimi i luftës midis Hamasit dhe Izraelit më 7 tetor.

Grupi militant palestinez Hamas njoftoi më herët sot një listë të njerëzve që lejohen të largohen nga Rripi i Gazës përmes kalimit Rafah.

Lista, e publikuar nga Autoriteti Kufitar Palestinez në Facebook, përfshin shtetas të Australisë, Austrisë, Bullgarisë, Indonezisë, Jordanisë, Finlandës, Republikës Çeke dhe Japonisë.