Të gjithë automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë, u vendosen targat e Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare të cilat kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve.

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjithë automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Njëkohësisht, MPB dhe policia kanë ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

Ata kanë njoftuar opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.
Situata është e qetë, dhe tashmë Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.