Të dyshuarit për masakrën në Moskë të rrahur brutalisht dolën para gjykatës

Katër të akuzuarit për masakrën në qendrën tregtare në Moskë janë sjellë dje para gjykatës.

Nga videot dhe fotot e publikuara në rrjetet sociale, shihet se ata janë rrahur dhe torturuar brutalisht, ku tre prej tyre kanë shkuar vetëm në gjykatë dhe i katërti është tërhequr zvarrë me karrocë. Të katër akuzohen për terrorizëm.

Në video shfaqen policët e maskuar që i çojnë ata në Gjykatën e Qarkut Basmani në kryeqytetin rus.

Forcat ruse të sigurisë me sa duket i rrahën dhe torturuan katër sulmuesit. Në rrjetet sociale kanë dalë pamje shqetësuese të cilat, sipas BBC, me sa duket janë publikuar nga forcat e sigurisë. Pamjet tregojnë marrjen në pyetje brutale. Një video tregon një prej sulmuesve duke i futur në gojë veshin e tij, i cili sapo ishte prerë, dhe BBC raporton se disa pamje sugjerojnë se të paktën një nga sulmuesit u godit nga rryma.

Personat e identifikuar nga gjykata si Mirzoyev dhe Rachabalizoda kishin mavijosje në fytyrë dhe njëri prej tyre kishte një fashë mbi kokë në zonën e veshit. Spekulohet se ky është sulmuesi të cilit rusët i kanë prerë veshin gjatë marrjes në pyetje.

Përveç kësaj, në qafën e Mirzojevit është mbështjellë një qese plastike e grisur, e cila sugjeron torturë me mbytje, por edhe dëshirën e autoriteteve ruse për t’i treguar publikut se kanë torturuar sulmuesit që kryen sulmin vdekjeprurës në sallën e koncerteve.

Fytyra e burrit të identifikuar si Faridouni ishte enjtur keq dhe burri i quajtur Fayzov, i cili u soll në gjykatë në një karrige me rrota i veshur me një fustan spitali, po humbiste vetëdijen. Ai duket se i mungon një sy, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se Mirzojev “e ka pranuar plotësisht fajin”, dhe Rachabalizoda thuhet se “e ka pranuar fajin”. Burrat janë identifikuar si shtetas të Taxhikistanit, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Të katër do të jenë në paraburgim të paktën deri më 22 maj, shtoi gjykata.

Grupi terrorist Shteti Islamik tha se kreu sulmin e së premtes në sallën e koncerteve Crocus City Hall dhe publikoi pamje shqetësuese video nga brenda sallës, duke treguar terroristët që gjuanin mbi civilët. Disa zyrtarë rusë kanë pohuar se Ukraina ishte e përfshirë në sulm, ndërsa Kievi thotë se pretendimi është “absurd”.