Të dhënat e INSTAT: Po ikën rinia, 46% e emigrantëve janë nën 40 vjeç

Emigracioni, i cili ka vijuar me ritme konstante në 30 vitet e fundit dhe me gjasë do të shtrihet me të njëjtin intensitet edhe në dekadën në vijim, po ndikon për keq cilësinë e popullatës në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT mbi emigracionin më 2020 tregojnë se, nga totali i emigrantëve rreth 1.7 milionë persona, shumica janë të rinj.

Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur mosha 20 nga 40 vjeç e dominon popullatën në emigracion dhe përben 46 për qind të totalit të emigrantëve.

Mbi grup moshën 45 vjeç popullata në emigrim vjen në rënie. Anketa të tjera mbi potencialet e emigracionit tregojnë tendencën e lartë te të rinjve në moshë te re për të emigruar në krahasim me moshat e tjera.

Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70 për qind e 20 vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018. Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se të grup moshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh sociale dhe ekonomike, thotë Gëdeshi.