Të bllokuarit në SHBA! Rrëfimi i rreshteres që mbeti në Nju Jork me fëmijën 3 vjeçar!

Ishte muaji janar kur Nurhan Ismani-Sejdini, rreshtere e vjetër në Armatë, bashkë me djalin e saj 3 vjeçar shkoi për vizitë familjare në Nju Jork. Përkeqësimi i krizës me koronavirusin tanimë 5 muaj ka e lënë të bllokuar atje.

“Nga Ambasada vetëm na thonin pritni, pritni, pritni dhe më 1 prill nga Konsullata e Maqedonisë këtu në Nju Jork më erdhi e-mail se Maqedonia njëherë për njëherë nuk planifikon të bëjë ndonjë organizim dhe se do të na informojnë nëse organizojnë”, tha Nurhan Ismani-Sejdini, e bllokuar në SHBA.

Maqedonia e Veriut nuk arriti t’i riatdhesojë shtetasit e saj të bllokuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si opsion kanë dhënë fluturimin drejt Sofjes, gjë që e dëshmon edhe ky e-mail i përfaqësisë diplomatike. E të njëjtën gjë për TV21 e pohon edhe Ministria për Punë të Jashtme.

“Fluturime tejoqeanike nuk u organizuan për shkak të numrit të kërkesave dhe mundësisë për realizimin e tyre, në aspektin teknik dhe financiar. Shtetasve maqedonas të bllokuar në SHBA dhe në shumë vende të tjera tejoqeanike u është ofruar ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me shtete të tjera, përmes orientimit ose sigurimit të lejeve për kthimin e tyre në shtëpi nëpërmjet aeroporteve në Sofje, Selanik, Stamboll ose Tiranë” thonë nga Ministria për Punë të Jashtme e RMV-së.

“Është turp të del një politikan e të tregojë aeroportin e Sofjes, duke e pasur ne aeroportin tonë. Si mundet të kërkojë shteti ynë të endemi aeroporteve të botës kur ne kemi në Maqedoni aeroport. Çfarë kujdesi tregon Maqedonia e Veriut ndaj qytetarëve që kanë mbetur të bllokuar?!”, tha Ismani-Sejdini, e bllokuar në SHBA.

Nga komunikimet me ambasadën, thotë se ka kuptuar se janë mbi 100 shtetas të bllokuar në SHBA, por më pas tregon se i kanë thënë se numri ka rënë në rreth 30, për shkak se shumica janë tërhequr kur e kanë kuptuar se duhet të shkojnë në karantinë shtetërore. Rreshterja Sejdini thotë se rrezikon edhe vendin e punës nëse nuk kthehet në punë deri në fund të muajit të ardhshëm.

“Për këtë gjë unë po pres nga Qeveria e Maqedonisë për një përgjigje për aeroport nëse do të hapen ose nuk do të hapen, dhe për sa kohë nuk do të hapen? Nëse nuk do të hapen unë do të jem e detyruar që unë ta marr Arbërin tim dhe të nisem nga Sofja që të mos i hap nesër vetes punë nëpër gjykata, të kërkoj të drejtën time ligjore nëse e humbas punën”, tha Ismani-Sejdini.

Në fakt hapja e aeroporteve të vendit ende është në pikëpyetje. Ato janë mbyllur që në mes të marsit për shkak të krizës me COVID-19. Ditë më parë Ministri i Shëndetësisë Vneko Filipçe tha se do të jetë shumë e vështirë të kthehet transporti ajror ashtu siç ka qenë, që të mund për kohë të shkurtër të mund të kemi qasje në aeroporte dhe se me shumë gjasa procedurat e sigurisë do të zgjasin ende.