Të bllokuarit në Itali do të kthehen në vendlindje! Osmani: Grupi i parë do të vijë me autobus dhe do të karantinohet

Problemi me riatdhesimin e shtetasve tanë të bllokuar në Itali por merr drejtim. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani zbulon për TV21 se ai tashmë e ka pranuar listën me rreth 350 emra të personave, të cilën e ka prezantuar në seancë qeveritare ku dhe janë marrë disa konkluzione. Të parët që do të kthehen janë ata që do të pranojnë të vijnë me autobus dhe të shkojnë në karantinë shtetërore në hotel.

TV21: Cili do të jetë grupi i parë që do të seleksionohet dhe në numër sa mund të jenë?

“Grupi i parë prej atyre që pranojnë të vijnë me autobus dhe pranojnë karantinën janë diku 68, nëse eventualisht sot do të shtohet lista, do e vlerësojmë, ata do të mund ti organizojmë ne. Tanimë Ministria e Jashtme e ka marrë obligimin nga shtabi, për të organizuar autobusin dhe për ti sjellë deri këtu” – thotë Zëvendëskryeministër Bujar Osmani.

Autobusët do t’i organizojë dhe paguajë qeveria, tregon Osmani. E krahas këtij grupi që ka pranuar këto kushte, ai thotë se janë edhe dy kategori të tjera. Një që dëshiron të vijnë me makina private dhe tjetra që kërkon karantinë shtëpiake për shkak se janë me fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

“Për këta që kanë fëmijë të vegjël, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duhet të na shqyrtojë një variant për eventualisht testim kur të vijnë këtu e pastaj të shkojnë në izolim shtëpiak. Këtë e presim prej tyre se a është e mundshme ta bëjmë. Ndërsa këta që janë me vetura private do të presim edhe pak për të parë se si mund të kalojë ky konvoj nëpër Serbi dhe vende të tjera sepse ka kufizime që nuk varen nga ne por nga shtete të tjera” – thotë Zëvendëskryeministër Bujar Osmani.

Data konkrete e nisjes së konvoit të parë ende nuk dihet. TV21 dy ditë me radhë ka raportuar për numrin e madh të shtetasve të bllokuar në Itali, të cilët për shkak të krizës me koronavirusin janë në gjendje të vështirë financiare, të bllokuar nëpër familjarë e miq, disa madje edhe me probleme shëndetësore, duke e pasur të pamundur të vazhdojnë të qëndrojnë më atje. Rrëfenin po ashtu se kishin mbetur në mëshirë të fatit duke qenë se për hallin e tyre nuk merrnin asnjë përgjigje nga përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë në Itali dhe nga Ministria për Punë të Jashtme.