Të armatosurit aksidentuan 3 makina gjatë ndjekjes nga policia, pse iu vunë pas efektivët

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy të rinjtë e armatosur që nuk iu bindën Policisë mbrëmjen e së enjtes, duke shkaktuar disa aksidente gjatë rrugës. Në seancën e masës së sigurisë, prokurori Kreshnik Ajazi sqaroi se Policia u vu në ndjekje të një automjeti tip “Tuareg”, që kishte shkaktuar një aksident në zonën e Institutit Bujqësor.

Automjeti që drejtohej nga Gentjan Koçi nuk kishte ndaluar në vendin e aksidentit e për këtë arsye, i dëmtuari kishte lajmëruar në sallën operative të Policisë së Tiranës. Ky person kishte dyshime se në fuoristradën që shkaktoi aksidentin, ndodheshin tre persona dhe se ata mund të ishin të armatosur.

Ky automjet u konstatua mbrëmjen e së premtes në bulevardin “Zogu i Parë” dhe dy motorët e Forcës së Posaçme “Shigjeta” u vunë në ndjekje të tij. Drejtuesi i makinës nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, madje shtoi shpejtësinë për t’u larguar, duke përplasur disa makina gjatë rrugës, deri te kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja”.

Pasi rindërtoi ngjarjen e ndodhur, prokurori Ajazi kërkoi që ndaj dy të ndaluarve të caktohej masa e arrestit me burg. Gentjan Koçi nuk dha shpjegime para Gjykatës, por avokati i tij e cilësoi të paligjshëm arrestimin. Avokatja Vjollca Pustina, e cila mbronte gjatë seancës Ervin Kodrën, kërkoi një masë më të lehtë sigurie për të, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pasi dëgjoi palët, në përfundim të seancës, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës, duke lënë me masën “arrest me burg” dy të dyshuarit.

OPERACIONI

Policia e Tiranës, mesditën e së premtes, njoftoi se mbrëmjen e datës 16 gusht, rreth orës 23:20, shërbimet kishin evidentuar dhe goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje dhe mosbindjes së punonjësve të Policisë për të ndaluar.

“Gjatë ndjekjes nga Policia të automjetit ku udhëtonin dy shtetasit që mbanin armë zjarri me vete, drejtuesi i automjetit ka përplasur duke u shkaktuar kështu dëme materiale 4 automjeteve të tjera. Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri, pistoleta, të cilat u hodhën në një oborr banese dhe në një rrugicë nga drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.3, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj jetës dhe Pronës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Gentjan Koçi, 25 vjeç, dhe Ervin Kodra, 33 vjeç”, tha zyrtarisht Policia.

Më tej, sqaroi se këta shtetas, në rrugën “Jordan Misja”, duke lëvizur me mjetin tip “Tuareg”, i cili drejtohej nga shtetasi Gentjan Koçi dhe pasagjer shtetasi Ervin Kodra, nuk i janë bindur shenjës së ndalimit të shërbimit të “Forcës së Posaçme Shigjeta”, pasi mbanin 2 armë zjarri pa leje, por janë larguar me shpejtësi. / PANORAMA