Të ardhurit nga Italia në Istog po mbahen në izolim, zyrtarët e komunës tregojnë për gjendjen

Dy familje në një fshat të Istogut po vazhdojnë të qëndrojnë të izoluara, për shkak të dyshimit se kanë pasur kontakt me një prej personave të prekur me virusin Covid-19. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me koronavirus.

Gjendja në Istog është pothuajse e njëjtë me qytetet e tjera të Kosovës. Pak lëvizje të qytetarëve, e shumë kujdes për t’u mbojtur nga koronavirusi.
Istogasit po dalin në qytet vetëm për të blerë ushqim e barna, ndërkohë po qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, si masë kryesore e mbrojtjes nga virusi.

Për gjendjen në Istog kanë folur kryetari i komunës, Haki Rugova dhe drejtori i Shëndetësisë, Mujë Osmanaj.

Ata për Express kanë treguar se kanë kërkuar mjete shpenzuese nga Ministria e Shëndetësisë.

“Janë në vëzhgim edhe disa raste tjera, sot e kemi pasur takimin e Shtabit Emergjent, ku kanqë qenë prezent edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Janë disa vatra potenciale, por deri më tani në Istog nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Po merren masat e nevojshme, pak është shqetësuese sepse disa nga qytetarët që duhet të qëndrojnë të izoluar, nuk janë të diciplinuar”, ka thënë kryetari i Istogut, Haki Rugova.

Rugova ka shtuar se e rëndësishme në këtë kohë është që qytetarët të izolohen nëpër shtëpitë e tyre, pasi kjo është masa mbrojtëse më e mirë.
Ai ka theksuar se i kanë dërguar një listë me kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë, për materialet e nevojshme nëpër QKMF-të e Istogut.

“Mjetet preventive deri tash i kemi pasur, por kemi kërku përkrahje nga qeveria, sot e kemi dërguar një listë e kërkesave në Ministria e SHëndetësisë, presim përgjigje nga ta. Materiale, paisje mbrojtëse, dezinfektues, maska, kryesisht material shpenzues”, ka thënë Rugova.

Rugova ka bërë të ditur se po respektohet vendimi i qeverisë, për mbylljen e bizneseve.

“Njerëzit po lëvizin, mirëpo bizneset nuk po punojnë, po e respektojnë vendimin e qeverisë. Po punojnë vetëm marketet dhe barnatoret. Kështu është krijuar pamundësia e grumbullimit të njerëzve. Kam marrë vendim e kam reduktuar stafin mjekësor, vetëm personat që duhet patjetër do të punojnë, edhe ata me orare”, kan deklaruar Rugova për Express.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, i ka thënë gazetës se ka persona që kanë ardhur nga Italia në Istog, por po qëndrojnë të izoluar.

“Janë disa individë që kanë ardhur nga Italia para 3-4 ditësh, por menjëherë kemi intervenuar me polici dhe i kemi marrë masat e nevojshme që ata persona të izolohen”, ka theksuar Osmanaj.

Osmanaj ka thënë se dy personat që dyshohet se kanë pasur kontakt me një prej të prekurve me virus, po vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar, bashkë me familjet e tyre.

“Ata dy persona dhe familjet e tyre janë të izoluar dhe në vëzhgim. Deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka pasur simptoma të virusit Covid-19”, ka thënë Osmanaj për Express.

Ndryshe, Kosova të premtën edhe zyrtarisht ka hyrë në mesin e shteteve të prekura nga virusi i rrezikshëm, COVID-19, apo i njohur si koronavirus. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me koronavirus.

Rasti i parë i konfirmuar me koronavirus është ai i 77-vjeçarit nga Stublla e Vitisë. Ai kishte hyrë më 5 mars në Kosovë nga shteti i Italisë, atje ku edhe tani situata me këtë pandemi ka dalë nga kontrolli.

I njëjti person dyshohet se gjatë qëndrimit në Kosovë ka marrë pjesë edhe në meshë, andaj shtohen dyshimet se virusin mund t’ia ketë bartur edhe personave tjerë.

Si rrjedhojë e këtij rasti, qyteti i Vitisë është futur në karantinë dhe nuk do të lejohet dalja ose hyrja e qytetarëve nga kjo komunë.

Njësoj si Vitia, edhe qyteti i Klinës është futur në karantinë. Kjo pasi që rasti i dytë i shënuar me koronavirus u konfirmua nga kjo komunë.

Një shtetase italiane, 22-vjeçare, shënoi rastin e dytë të konfirmuar me koronavirus në Kosovë. E njëjta kishte jetuar në Klinë, tek një familje kosovare, teksa besohet se ka punuar në një organizatë.

Rasti i tretë që u konfirmua dje nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i njëjti ka lidhje familjare me rastin e parë nga Vitia.

E dy raste të tjera u konfirmuan të shtunën në mbrëmje. Një rast nga Stublla e Vitisë (kontakt i rastit të parë), i gjinisë mashkull, 42 vjeç, dhe një rast 37 vjeç, i gjinisë femërore, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, ka ardhur në Kosovë me datë 01.03.2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“.

Vendqëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës.
Si rrjedhojë, Qeveria ka vendosur që edhe komuna e Malishevës, njësoj si ajo e Vitisë dhe eKlinës, të futet në karantinë.

Ndërkohë gjatë ditës së diel, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar edhe për katër raste të reja të kosovarëve që janë prekur me koronavirus. Ai tha se nga katër rastet e reja, tre janë nga Malisheva, kontakte të rastit të parë, dhe një rast i ri nga komuna e Podujevës.

Megjithëkëtë, raste të reja u paraqitën edhe gjatë ditës së hënë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe katër raste të reja të të prekurve me koronavirus në Kosovë. Sipas tij, këto raste të reja janë nga fshati Stubëll i Vitisë, familjarë të ngushtë të të moshuarit që u konfirmua i pari me pandemi.