Tarifat e detektivëve shqiptarë: 30 euro ora për të spiunuar burrin që tradhëton gruan

Shqipëria është vend që ka tashmë edhe dedektivë privatë. Dhe janë jo pak, por plot 50 të tillë të licensuar. Vetëm një institut që drejton Ndue Pjetra ka plot 13 të tillë.

Ai thotë se zbulohen shumë raste, kryesisht në familje dhe se një shërbim zbulues, apo të një dedektivi kushton 30 euro ora. Mbizotërojnë tradhëtitë bashkëshortore.

“Veçoj rastin e një zotërie. Ngjitej me vinç deri në katin e katërt tek e dashura, në mes të natës. Na kontaktoi bashkëshortja, ta ruanim dhe t’i provonim tradhëtinë. Vinçi ishte vendosur më përpara. Madje nuk ishte siguruar mbi tako. Nga videot duket që lëkundet dhe përplaset te ballkoni. Një sakrificë të tillë nuk e kemi parë as në filma” – tregon Ndue Pjetri, duke e konsideruar këtë si rastin e rrallë të atyre që janë hetuar, apo investiguar deri tani.

Skenat e filmave me dedektivë privatë që hyjnë në të fshehtat e jetës suaj apo të armiqve janë tashmë realitet edhe në Shqipëri. Janë shumë çështje që ndiqen nga dedektivët, por që kanë shkaktuar edhe një rrëmujë në sistemin e Drejtësisë. Sepse, në disa raste më shumë prova krimi e antikrimi kanë sjellë dedektivët, sesa strukturat që e kanë për detyrim ligjor një gjë të tillë.

Aksidentet rrugore, fshehjet dhe vjedhjet e makinave në rastet kur pronarët u shmangen zyrave të përmbarimit ose bankave – janë ato çështje me të cilat merret sot një dedektiv privat i liçensuar në Shqipëri.

Sipas ligjit, kjo kategori siguron të dhëna të plota dhe i paraqet ato pranë organeve të hetimit, apo gjykimit. Më të shumta janë rastet e personave që kanë marrë një kredi dhe nuk e paguajnë atë, në disa raste për mungesë të adresës së saktë.

Tek hetimet e tyre janë edhe tradhtitë bashkëshortore. Madje, më shumë çështje vijnë me kërkesa të tilla që bëhen nga gratë. Një detektiv apo hetues privat bashkëpunon me prokurorinë, bizneset, organet shtetërore dhe kompanitë private, për mbledhjen e provave dhe fakteve të hetimit, apo për të gjetur vendodhjen e personave, të cilët rezultojnë të zhdukur.

Në botë, pothuajse gjysma e numrit të detektivëve punojnë në agjensi ose më vete, si të vetëpunësuar, ndërsa pjesa tjetër është e punësuar në kompani private. Ata janë të specializuar në hetime bashkëshortore, në gjurmim statik dhe në lëvizje, hetime financiare, mungesës ose zhdukjes së personave, hetime ligjore dhe penale, hetime të aksidenteve rrugore, të zjarrvënieve me dashje etj.

Për të realizuar qëllimin e punës së tij, një detektivi i duhet shumë kohë, deri edhe vite për raste të ndryshme. Tematika e fushës së hetimit, përbën një arsye të domosdoshme për të qenë i mirëtrajnuar, sepse në të kundërt konflikti mbetet i hapur.

Detektivi është një hulumtues, hetues, qoftë ky i punësuar në administratën gjyqësore ose një individ i punësuar privatisht. Më parë termi “detektiv” përdorej për të përcaktuar një hetues privat, ose siç njihej ndryshe “private eyes”. Në terma të thjeshtë dhe kryesisht ne letërsi një detektiv është personi i liçensuar ose jo, që zgjidh enigmën e kryerjes së një krimi, duke përfshirë edhe ngjarjet kriminale në të kaluarën, ose personi që kqyr regjistrat dhe të dhënat e regjistruara.

Përpara vendosjes së të ashtuquajturës “divorc pa fajtor”, dedektivët private punësoheshin për të kërkuar prova për tradhti bashkëshortore, apo sjellje të tjera në kundërshtim me statusin martesor, të cilat konsideroheshin arsye për zgjidhjen e martesës.