Taravari viziton shkollën “Bashkimi” dhe takohet personalisht me prindët e Ëmbla Ademit

“Erdha për së afërmi të njoftohem me problemin pasi dje lexova nëpër rrjetet sociale shqetësimin që e shpreh një pjesë e mirë e popullatës dhe mendoj se çdo e keqe ka një të mirë dhe këtu mendoj se shkoi mirë që popullata u ndërgjegjësua në këtë drejtim. Si administratë komunale mendoj se këto 4-5 vite kemi punuar me përkushtim ndaj këtyre fëmijëve dhe mendoj se dallojmë shumë prej komunave të tjera edhe në drejtim të ndërtimit të objektit për fëmijët me nevoja të veçanta dhe qendra për autizëm.

Gjithashtu, edhe nëpër shkolla e di se përgjegjësja e arsimit është kujdesur shumë për këta fëmijë dhe më habiti momenti që diçka nuk është në rregull, prandaj sot erdha ti ndëgjojë të gjithë dhe këtu me sa e shoh problem ka nisur në dhjetor kur ka pasur një peticion nga prindërit të cilët fëmijët i kanë në të njejtën klasë me Ëmblën. Edhe pse si komunën nuk e kemi obligim, por kemi siguruar asistente personale për Ëmblën dhe sipas mikut tim Ilirit, si prind ata janë shumë të kënaqur. Kemi angazhuar edhe defektologe e cila në periudha kur paraqitet ndonjë shqetësim, punon me Ëmblën”, deklaron Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Ilir Ademi, prind i Ëmblës shprehet i kënaqur me vendimin, dhe uron që rasti i vajzës së tij të jetë i fundit në shoqërinë tonë.
“E përshëndes kryetarin që ishte i angazhuar për rastin dhe e falenderojë që u angazhua që të zgjidhet ky problem, shpresoj se do zgjidhet dhe ky rast të jetë i fundit me këta fëmijë dhe jo vetëm për vajzën time, por për të gjithë”, deklaron Ilir Ademi, prind.
Takimi u mbajtë te hapësira që ka krijuar shkolla enkas për Ëmblën e cila disa orë mësimore i vijonë e vetme me asistenten e saj.