Taravari: Me zyrtarë të VLEN-it, Vuçiqi nuk mund të shëtitet në Shkup e Ohër

Kryetari i ASH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në emisionin Interaktiv në KTV, ka theksuar se Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut u formua para pesë muajve, dhe kryeministri i parë që u prit nga qeveria e re ishte kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Takimin e parë bilateral, siç theksoi Taravari, që e bëri Mickoski pasi u zgjodh kryeministër ishte vizita në Kroaci dhe mbledhja e parë ndërqeveritare që e bëri kjo qeveri është me qeverinë e Kosovës.

“Dhe këto tre ngjarje janë porosi në vete për gjithë ata që mendojnë se kjo qeveri është antishqiptare. Në krahasim prej periudhës para pesë muajsh kur Vuçiqi me Ahmetin shëtitnin në Ohër e Shkup, kur Bujar Osmani vizitonte më shumë Beogradin se Kosovën, tash ndodh e kundërta. Nuk mund të ndalim asnjë zyrtar të qeverisë ta viziton Beogradin, por Vuçiqi nuk mund të shëtitet me zyrtarët e VLEN-it në Shkup dhe Ohër”, tha Taravari.