Taravari krenar me disciplinën e gostivarasve

Kryetari i Gostivarit Arben Taravari në Facebookun e tij ka treguar se tashmë 5 ditë në qytet nuk është regjistruar asnjë rast i ri me COVID-19. Kjo sipas tij është retultat i bashkëpunimit të qytetarëve të Gostivarit që kanë respektuar masat e aurotiteteve.

“Në momentin ku shifra e të infektuarëve në gjithë Maqedoninë ka arritur numrin shqetësues prej 599 të prekurëve, jemi krenar që në komunën e Gostivarit tash më 5 ditë nuk është shënuar asnjë rast i ri. Kjo vjen si pasojë e bashkëpunimit të shkëlqyer të banorëve të Gostivarit me udhëzimet e dhëna nga autoritetet përkatëse! Vazhdojmë të jemi shumë të vëmendshëm!” ka shkruar Taravari.

Nga ajo që dihet deri më tani, gostivarasja e parë e prekur nga koronavirusi tashmë është lëshuar në shtëpi. Një paciente nga Dobërdolli dhe një nga Gjurgjevishta janë pozitive por në gjendje të mirë shëndetësore, kurse një punonjës teknik shëndetësor nga Gostivari ka dalë negativ pas ritestimit të bërë. Në Repartin Infektiv në Gostivar ndodhet një i infektuar nga Strumica që është sjellë në këtë spital nga karantina shtetërore në Mavrovë.