Taravari: Ende nuk kam vendosur nëse do të jem ministër i Shëndetësisë


Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari nuk ka vendosur nëse do të jetë në përbërjen e ardhshme qeveritare si ministër. Ai ka konfirmuar se një pjesë e shkrimeve të disa mediave për ndarjen e dikastereve qeveritare dhe posteve zyrtare janë të sakta.

Sipas Taravarit, ndoshta sot ose nesër do të shpallet marrëveshja përfundimtare mes partnerëve të ardhshëm qeveritarë, VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.

“Përveç nesh, shpresoj të ketë edhe një parti tjetër, tani nuk kam informacion nga VMRO-ja nëse është arritur marrëveshje me “ZNAM”-in, kështu që në 24 deri në 48 orët e ardhshme me siguri do të shpallet”, tha Taravari.

Sipas tij, ajo që dje u paralajmërua në disa media është e vërtetë dhe siç tha, së shpejti do të ketë rezultate zyrtare të negociatave.

“Për drejtorë ende nuk kemi folur. Për ministrat, e Aleancës, thashë se do të kemi një zëvendëskryeministër, gjegjësisht një ministër të Qeverisjes së Mirë dhe Transparencë dhe ministër të Shëndetësisë dhe dy zëvendësministra të Mbrojtjes dhe Bujqësisë dhe dy sekretarë shtetërorë. Për njërën di, për Shëndetësi, për tjetrin nuk jam i sigurt”, tha Taravari.

Në pyetjen e MIA-s nëse do të jetë ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, ai tha se nuk ka vendosur dhe ende është duke menduar nëse do ta pranojë këtë funksion.

Taravari i komentoi edhe rezultatet e shpalljeve dhe theksoi se ata kanë qenë në avantazh më 8 maj, ndërsa tani, siç tha, janë në avantazh të madh.

“Në Njësinë e Gjashtë Zgjedhore BDI ka një deputet më pak, VLEN-i ka një deputet më shumë, ashtu që, numri i përgjithshëm i deputetëve tanë është 14, BDI mbetet me 18 deputetë”, tha Taravari.