Taravari: Do ta ndalojmë bizhozin dhe kreditë e shpejta, qeveria e ardhshme do t’i mbulojë borxhet e qytetarëve nga kreditë e shpejta


Kandidati për president Arben Taravari ka vizituar sot Strugën, ku ka diskutuar për çështje të ndryshme në komunitet, duke filluar nga punëtorët shëndetësorë e deri te qytetarët.

Në takime ai u përball me shqetësimet e qytetarëve për shëndetin dhe veçanërisht për lojërat e fatit dhe praktikat e dëmshme të kredive të shpejta. Ai shprehu angazhimin e tij për të ndalur këto fenomene negative dhe për të gjetur zgjidhje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Sot patëm një vizitë në qytetin e Strugës dhe vendbanimet në Strugë. Fillova takimin me kolegët e mi, mjekë nga Struga, me të cilët diskutuam për programin e VLEN-it për shëndetësi, si i shohin problemet, si mund të përmirësohen dhe si mund të gjenden zgjidhje për shëndetësinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Më pas vazhduam me takime me qytetarë, biznese të vogla dhe të mesme. Kam qenë dëshmitar i numrit të madh të kazinove në Strugë, si dhe bankave për kredi të shpejta dhe sa e dëmton kjo ekonominë e qytetarëve të Strugës. Ne si koalicion VLEN në qeverinë e ardhshme do të marrim menjëherë masa për ndalimin e lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi në Kosovë, por edhe për të ndalur punën e kredive të shpejta që shkaktojnë dëme të mëdha në buxhetin e qytetarëve. Ne do të ndihmojmë seriozisht edhe qytetarët që kanë borxhe ndaj këtyre bankave, që këto borxhe t’i mbulojë shteti apo qeveria”, tha Taravari.