Lideri taleban Hibatulla Ahunxhada, në porosi me rastin e Kurban Bajramit, përsëriti se “fuqishëm bën përpjekje për zgjidhje politike” në Afganistan, një ditë pas vazhdimit të bisedave në Doha me përfaqësuesit qeveritar gjatë ofensivës kryengritëse.
Delegacionet e qeverisë afgane dhe talebanët të shtunën në Doha, Katar, i vazhduan bisedat e filluara në shtator, të cilat nuk rezultuan me marrëveshje. Është parashikuar të dy palët sërish të takohen të dielën.
“Në vend që të mbështetemi te të huajt, t’i zgjidhim problemet tona ndërmjet nesh afganëve dhe ta shpëtojmë atdheun nga kriza”, tha lideri taleban Ahunxhada me rastin e festës së Kurban Bajramit, e cila zgjat tre ditë duke filluar nga 20 korriku.
Ai shtoi se “edhe krahas përparimit të fitoreve luftarake, ata edhe më tutje janë për zgjidhje politike”.
“Me vendosmëri duam të gjejmë zgjidhje përmes bisedave, por pala e kundërt vazhdon të humb kohë”, shtoi lideri në porosinë e tij.
Në Doha bisedat nuk ishin të suksesshme. Shefi i këshillit qeveritar që e mbikëqyr procesin paqësor, Abdulla Abdulla, të dielën në mbrëmje i shmangu pyetjet e gazetarëve për marrëveshje të mundshme.
Ofensiva kryengritëse e filluar në fillim të muajit maj, me qëllim të tërheqjes përfundimtare të forcave të huaja nga vendi, hasi në rrezistencë të dobët nga forcat afgane dhe u mundësoi talebanëve t’i okupojnë rajonet e mëdha rurale të Afganistanit dhe vendkalimet e rëndësishme me Iranin, Turkmenistanin, Taxhikistanin dhe Pakistanin.
Luftëtarët proqeveritar kanë udhëhequr 244 operacione, duke vrarë 967 luftëtarë “armiq”, duke përfshirë edhe komandantë të rëndësishëm. Deri tani kemi okupuar 24 rajone dhe qëllimi ynë është ti kthejmë të gjitha territoret. Jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin tonë”, deklaroi zëdhënësi i forcave të sigurisë afgane Ajmal Omar Shinvari.