Talebanët ndalojnë rruajtjen e mjekrës

Berberët në provincën Helmand të Afganistanit tani e kanë të ndaluar të rruajnë mjekrën e burrave dhe të luajnë muzikë në dyqanet e tyre, sipas një deklarate të lëshuar nga departamenti i udhëhequr nga talebanët.

Rregulloret e reja bëjnë pjesë në një seri kufizimesh të vendosura për njerëzit e Afganistanit bazuar në interpretimin e rreptë të ligjit islamik të Sheriatit nga talebanët, shkruan CNN.
“Ju jeni informuar urgjentisht se nga sot, rruajtja e mjekrës dhe luajtja e muzikës në dyqanet e berberëve dhe banjat publike janë rreptësisht të ndaluara”.

“Nëse ndonjë berber apo banjë publike zbulohet se ka rruar mjekrën e dikujt ose ka luajtur muzikë, ata do të trajtohen sipas parimeve të Sheriatit dhe ata nuk do të kenë të drejtë të ankohen”, thuhet në deklaratë.
Talebanët gjithashtu nuk i ka lejuar vajzat dhe gratë afgane të rinisin arsimin e mesëm, pavarësisht se premtuan se femrat do të lejoheshin të studionin teksa djemtë afganë tashmë janë thirrur të kthehen në shkollë.

Kur për herë të fundit në pushtet midis viteve 1996 dhe 2001, talebanët ndaluan gratë dhe vajzat nga arsimi dhe puna dhe kufizuan ashpër të drejtat e tyre.
Sot, gratë janë përjashtuar plotësisht nga qeveria e re dhe në disa raste janë urdhëruar të largohen nga vendet e tyre të punës.