Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në konferencë për media ka thënë se të drejtat e grave në Afganistan do të jenë bazuar në ligjet e sheriatit. Ai tha se nuk duan që të kenë probleme me komunitetin ndërkombëtar, teksa shtoi se do të veprojnë bazuar në parimet fetare.
“Dua ta sigurojë komunitetin ndërkombëtar se asnjëri nuk do të dëmtohet. Nuk duam të kemi probleme me komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Mujahid.
“Ne duhet të veprojmë bazuar në parimet tona fetare. Shtetet tjera kanë qasje ndryshe, rregulla e rregullore. Afganët kanë të drejtë të kenë rregullat e rregulloret e tyre bazuar në vlerat tona. Ne jemi të përkushtuar për të drejtat e grave nën sistemin e sheriatit. Do të punojnë krah për krah me ne. Ne duam të sigurojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”.
Ai ka thënë se do t’u lejohet grave të punojnë dhe studiojnë brenda kornizave të tyre.
“Gratë do të jenë shumë aktive brenda shoqërisë sonë, brenda kornizave tona ligjore”, ka thënë zëdhënësi i talebanëve.