Talebanët bëjnë “xhiro” me helikopterin amerikan

Një video po bënë xhiro në rrjetet sociale, ku tregon forcat talebane që fluturojnë me një helikopter amerikan Black Hawk prej 6 milionë dollarësh mbi Kandahar për të patrulluar qytetin
Pamjet u shpërndanë në Twitter nga një llogari e quajtur Talib Times, e cila pretendon të jetë burimi zyrtar i lajmeve për Emiratin Islamik Afganistan, shkruan Daily Mail.

Thuhet se pamjet e paverifikuara tregojnë një burrë të varur nga një helikopter ndërsa fluturon mbi Kandahar përpara largimit të SHBA-së nga Afganistani.
Po sipas mediave, ekziston frika se talebanët mund të kenë qasje deri në 200,000 armë zjarri, 20,000 Humvees dhe qindra aeroplanë që SHBA i dhuruan ushtrisë afgane.

Pamjet vijnë disa ditë pasi dolën disa pamje të tjera, ku shiheshin talebanët që testonin një helikopter të kapur Black Hawk duke “bërë një xhiro” rreth një fushe ajrore.
Ndryshe, në fillim të këtij muaji, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, pranoi se SHBA nuk ka një ‘tablo të qartë’ të asaj se sa mungojnë nga 83 miliardë dollarë inventar ushtarak, që tani mund të jenë në duart e armikut.