Talat Xhaferri edhe një vit do të perdorë veturë zyrtare dhe sigurim prej gjashtë personave

Kryeministri teknik në largim, Talat Xhaferi, edhe një vit pas përfundimit të mandatit të tij do të mund të përdorë një automjet zyrtar. Vendimi është publikuar në Gazetën Zyrtare më 13 qershor me nënshkrimin e vetë Xhaferit.

Pas përfundimit të mandatit të tij si kryeministër teknik, ai do të përdorë një “Škoda Superb” të prodhuar në vitin 2021, e cila është në emër të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë.

Sipas Ligjit për Qeverinë, kryeministri i cili e përfundon mandatin e tij ka të drejtë të përdorë sigurim nga gjashtë persona, automjet zyrtar dhe shofer. Xhaferi ishte kryeministër për zbatimin e zgjedhjeve nga 28 janari i këtij viti dhe deri të dielën, kur pritet të zgjidhet qeveria e re, ai ishte në krye të ekzekutivit për gati pesë muaj.

Megjithatë, ai do të mund të përdorë automjet zyrtar edhe për një vit, pasi sipas Ligjit për Qeverinë, kryeministri që ka kryer funksionin më pak se një vit, “ka të drejtë të përdorë automjet zyrtar për një periudhë prej një viti nga dita e përfundimit të funksionit”.

Xhaferi është zgjedhur përsëri deputet dhe ka marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare. Para disa ditësh, para largimit nga funksioni, ai u lavdërua me portretin e tij si kryeministër që qëndron bashkë me portretet e ish-kryeministrave në qeveri.