Talat Xhaferi zgjedhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut


Talat Xhaferi, është zgjedhur kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi, do të ketë një mandat prej 100 ditësh.

Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është e pranishme në sallën e Kuvendit, por paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.

Kjo e diel është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar.

Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.

Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën plenare të 28 janarit e ka cilësuar si “ditë historike”.

Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.

Ndërkohë, emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani-ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.

Sa i takon VMRO-DPMNE-së, partia e propozoi Pançe Toshkovskin për ministër të Brendshëm, Gjoko Velkovskin për Punë dhe Politikë Sociale, Elena Petrova- zëvendësministre shtesë për Financa, Stefan Andonovski për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave.

Për ministra pa portofol janë propozuar Bojan Mariçiq për çështje evropiane, Fatmir Bitici për çështje ekonomike dhe Slavica Grkovska për politika për qeverisje të mirë.

Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër shtesë të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në kulturë, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi, janë propozuar ministrat e deritanishëm të LSDM-së.

Kush është Telat Xhaferi?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.