Kam dëshmuar se flas dhe punoj për qytetarët dhe interesat e tyre, të cilët i përfaqësoj në Kuvend, dhe për këtë shkak besoj se edhe kësaj rradhe qytetarët do të dinë të zgjedhin më të mirën nga e ofruara, deklaroi kandidati për deputet, Talat Xhaferi, bartës i listës së kandidatëve për deputet nga Bashkimi Demokratik për Integrim në NJZ5.
Në ngjarjen promovuese para Konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir, Xhaferi u porositi qytetarëve që fillimisht ta ruajnë shëndetin e tyre, pasi zgjedhjet organizohen në kushte specifike, të shkaktuara nga koronavirusi, e pastaj edhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit.
“Ideja për kryeministër shqiptar është reale dhe ajo buron që prej para 11 viteve, kur u theksua në kongres partiak në kohë kur funksionet më të rëndësishme shtetërore i kanë udhëhequr përfaqësues të popullit maqedonas. Atëherë lideri ynë ka shprehur ide publike dhe nevojë për barazi dhe për ndarje të përgjegjësisë në menaxhimin me institucionet. Me kalimin e kohës kjo edhe u dëshmua me marrjen e funksionit ministër i Mbrojtjes, pastaj kryetar i Kuvendit, në Qeverinë teknike kemi edhe ministër të Punëve të Brendshme, e kjo është dëshmi që nuk ka ndodhur asgjë që ka qenë në kundërshtim nga nevoja për barazi të qytetarëve në të drejtat dhe obligimet, të cilat i kënaqin sipas Kushtetutës. Ideja është reale, ajo do të varet nga numrat në Kuvend, pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Xhaferi në Manastir.