Talat Xhaferi hospitalizohet në Klinikën infektive

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot është hospitalizuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Nga BDI konfirmuan për “360 gradë” se Xhaferi është pranuar në spital për kontroll sistematik dhe se në testin për Kovid-19 ka rezultuar negativ.

Xhaferi i cili sipas Kushtetutës duhet ta thërrasë seancën konstitutive të Parlamentit të ri deri më 4 gusht kohët e fundit deklaroi se do të testohet para se të mbahej seancë dhe se do të sugjerojë që edhe deputetët e tjerë të zgjedhur ta bëjnë të njëjtën.

Nëse Xhaferi nuk është në gjendje ta caktojë seancën konstitutive dispozitat kushtetuese dhe ligjore përcaktojnë që anëtari më i vjetër i Parlamentit të ri ta bëjë këtë. Dje dhe pardje ministrat e Arsimit dhe Shkencës dhe Ekonomisë Arbër Ademi dhe Kreshnik Bekteshi njoftuan se janë pozitivë në Kovid-19.