Talat Xhaferi: “Open Ballkan”, duhet rishqyrtuar!

Iniciativa “Ballkani i Hapur” duhet të rishqyrtohet deklaroi mbrëmë në TV21 kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Tri shtetet anëtare dhe nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” duhet ta rishqyrtojnë këtë iniciativë. Me deklaratat e fundit të liderëve serbë, pas situatës së re me agresionin rus, mund të them se situata ka ndryshuar. Nuk është i njëjti person me të cilin është biseduar dhe krijuar iniciativa”, ka thënë Xhaferi.

Në emisionin “Click Plus”, Xhaferi gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është kundër Serbisë.

“Ne nuk jemi kundër Serbisë, as si shtet, as si institucione, as si popull. Megjithatë tani sinjalet duhet të merren me kujdes. Serbia dëshiron dhe negocion për anëtarësim në BE, kurse Unioni ka një qëndrim të hapur ndaj agresionit rus dhe gjithashtu ka vendosur sanksione. Serbia nuk e ka ndjekur atë rrugë dhe për këtë duhet të kemi kujdes. Kuptohet, jo për t’i dhënë fund marrëdhënieve, por të jemi të kujdesshëm. Domethënë, edhe një herë ne nuk jemi kundër Serbisë, por jemi kundër karakteristikave të autoriteteve që nuk kanë ndjekur udhëzimet e BE-së”, tha Xhaferi.