Taksa ekologjike: VMRO paralajmëron bllokimin e taksës mbi karburantet

Partitë opozitare e bllokuan taksën e propozuar nga Qeveria me të cilën parashihet rritja e çmimit të derivateve me 3.5 denarë pa TVSH. Nga VMRO-ja thonë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat për bllokimin e ligjit, pasi qëllimi i Qeverisë është ta mbushë buxhetin në llogari të qytetarëve, e jo të investojë në projekte ekologjike.

Pa hezituar do ta bllokojmë këtë propozim ligj duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat demokratike dhe do ta pengojmë miratimin e tij. Në rast se shumica vazhdon ta bëjë atë që më së miri di ta bëjë, e ajo është që ligjin që godet xhepat e qytetarëve ta miratojë dhunshëm dhe jashtë procedurave, atëherë prioritet i Qeverisë së re e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja do të jetë rishikim i plotë i gjitha politikave anti-treg, mes të cilave edhe tatimet e larta”- deklaroi Timço Mucunski, VMRO-DPMNE

Për koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, bllokimi i këtij ligji është i paevitueshëm, sepse nuk është e definuar si dhe ku saktë do të shpenzohen mjetet e grumbulluara nga kjo taksë.
Për bllokimin, LSDM-ja iu kundërpërgjigj vetëm VRMO-së. Thonë se me këtë mënyrë bëhen politika dështuese për tërë shtetin.

LSDM
“Asgjë të re nga VMRO DPMNE, parti e udhëhequr nga Hristian Mickoski destruktiv, që di të bëj vetëm bllokime dhe destruktivitet ndaj çdo gjë që është interes i shtetit. VMRO DPMNE që bllokon miratimin e masave kundër krizës në mes të koronës, tani paralajmëron bllokim të masave për investime ekologjike. Kjo parti është dëmtuesi më i madh për shëndetin e qytetarëve”

Mediat kërkuan përgjigje edhe nga Qeveria nëse dhe çfarë do të ndërmarrë për bllokimin e paralajmëruar dhe nëse mos miratimi eventual i kësaj takse do të ndikojë ndaj buxhetit. Por, deri në këto momente nuk kemi përgjigje. Plani është që për një vit në buxhet të grumbullohen 54 milionë euro, që sipas Qeverisë do të derdhen në investime, në burime ripërtëritëse të energjisë.