Takohen Kurti e Kovaçevski – Ja çfarë bisedojnë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar sot kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin. Të dy palët janë duke qëndruar në Forumin Ekonomik në Delfi të Greqisë.Qeveria e Kosovës ka njoftuar përmes një njoftimi për media se gjatë këtij takimi është diskutuar për raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, avancimin e mëtejmë të tyre dhe i fqinjësisë së mirë.
Kryeministri Kovaçevski ka shpreh gatishmërinë për përkrahjen e Kosovës në rrugën euro-atlantike.

“Të dy kryeministrat i vlerësuan si të mira raportet ndërmjet dy vendeve dhe biseduan për rritjen e bashkëpunimit, për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe raporteve ndërfqinjësore”, deklarojnë nga kryeministria e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi kryeministri Kurti ka thënë se bashkëpunimi bilateral dhe rajonal është gjithmonë i rëndësishëm dhe se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejmë të raporteve të mira me fqinjët dhe aleatët e saj.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve kanë avancuar me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe nënshkrimin e 11 marrëveshjeve bilaterale vitin e kaluar, që e ngritën në 50 numrin e marrëveshjeve. Dy kryeministrat folën edhe për nivelin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, për koordinimin e politikave në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.“U theksua përkushtimi i dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. Rëndësi e posaçme ju kushtua parandalimit të ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues në Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë të Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë”, thuhet në njoftim.