Takimi Shaqiri – Ameti: “Universiteti i Tetovës prodhon kuadër të përgatitur që integrohet shpejt në proceset shoqërore”


Stafi mësimor-shkencor i Universitetit të Tetovës është i përkushtuar në krijimin e vazhdueshëm të gjeneratave të studentëve të cilët do të jenë të përgatitur mirë për përfshirje të shpejtë në proceset shoqërore, si dhe për zhvillimin e veprimtarisë shkencore-hulumtuese, e cila kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Megjithatë, çdo mbështetje shtesë nga institucionet e sistemit është e mirëseardhur, do të rrisë motivimin për të punuar dhe do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet institucioni.
Për këtë u diskutua në takimin e sotëm mes ministrit të arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri dhe prorektorit për arsim të Universitetit të Tetovës, prof. Vullnet Ameti e cila u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në takim, ministri Shaqiri shprehu besimin se institucionet e arsimit të lartë në të ardhmen do të kenë mbështetje gjithnjë e më të madhe, si në aspektin financiar, duke qenë se buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të jetë vazhdimisht në rritje, ashtu edhe nga aspekti i sigurimi i kuadrove të reja shtesë për t’u përfshirë në veprimtarinë mësimore dhe shkencore.

Prorektori për Shkencë ne Universitetin e Tetovës, prof. Dr. Ameti shprehu falënderime për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe pritshmëritë që ai të thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Ai i dhuroi Ministrit të Arsimit dhe Shkencës një monografi që përshkruan rrugën e zhvillimit të këtij institucioni të arsimit të lartë në 27 vitet e fundit.