Takimi Rama-Zaev: Do të kemi zonë të lirë ekonomike dhe mbledhje të përbashkët gjatë verës (VIDEO)

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev, me nderime të larta shtetërore është pritur nga homologu i tij i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me ç’rast kanë realizuar edhe konferencë të përbashkët për media, në të cilën u kumtua se është arritur marrëveshje për zonë të lirë ekonomike dhe realizimin e mbledhjes së përbashkët gjatë verës.

Edi Rama duke kumtuar për marrëveshjen e zonës së lirë ekonomike, vlerësoi se mes shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të ketë zonë tranzike – “Zonë Shengen” të shteteve të Bashkimit Evropian (BE), pasi që kjo do t’u mundësonte qytetarëve të lëvizin lirshëm dhe pa viza.

“Ne e filluam një proces të tillë me Kosovën, dhe është vetëm një fillim që të mbahet hapi edhe me shtetet tjera të rajonit. Të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të përfshihen në këtë proces. Kufijtë do të jenë të hapura me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, siç ndodh mes shteteve të BE-së, që qytetarët të hynë dhe dalin pa ndonjë kontroll nga të dyja palët e kufijve”, tha Rama.

Zoran Zaev pasi falënderoi Shqipërinë për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim të RMV-së në NATO, njoftoi se gjatë verës do të ketë seancë qeveritare të përbashkët.

“Mbledhja do të mbahet në verë, pas zgjedhjeve presidenciale dhe pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Qëllimi ynë i përbashkët është anëtarësimi në BE dhe heqja e kufijve”, tha Zaev.

Që të dy vlerësuan lartë raportet e mira të deritashme ndërmjet RMV-së dhe Shqipërisë, ndërkaq premtuan se do të punojnë bashkërisht për arritjen e qëllimeve strategjike – marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, që pritet të ndodh në muajin qershor.

Kryeministri Zaev është shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Pamje: Konferenca e përbashkët për media e kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Portalb