Takimi në Tiranë, Merkel e Zaev flasin për integrimin e vendit

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel mblodhi në një drekë pune në Tiranë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Merkel, kancelare në largim, u zotua para liderëve se politika e Gjermanisë ndaj rajonit nuk do të ndryshojë dhe mbështetja në proceset e zhvillimit nuk do të mungojë. Edhe pse nuk janë realizuar një pjesë e madhe e projekteve nga Procesi i Berlinit, Merkel nuk e quan atë të dështuar. Diskutimi u fokusua në bashkëpunimin e mëtejshëm rajonal. Delegacioni qeveritar nga Shkupi u kryesua nga Kryeministri Zoran Zaev.

“Nuk mund të themi se ka përfunduar ndërtimi i autostradave të synuara por ka procese të tjera që janë iniciuar. Kemi një rrjet të shkëmbimeve rinore në vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi shkëmbim në nivel shkencor… Pra, ngaqë nuk ka ndodhur gjithçka nuk mund të themi se nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. Ndoshta diçka merr më shumë kohë se sa duhet sa u takon procedurave të planifikimit, ndoshta zbatimi nuk është aq i shpejtë sa do të duhej, por shumëçka është në rrugën e duhur”- deklaroi Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë.
Liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në një tryezë në fillim të procesit të Berlinit të filluar nga Merkel në vitin 2014. Që atëherë, kryeministri shqiptar Edi Rama vlerëson se rajoni është bërë më bashkëpunues dhe më i prirur për tejkalimin e konflikteve.

“Sigurisht që procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vet. Mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në kontekst të investimeve janë mekanizma të “avasht” por ama edhe Ballkani i Hapur që sot ne e kemi si një nismë të tre vendeve që synojnë të përfshinë të gjashtë vendet, është rezultat I këtij procesi. Ne mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët dhe edhe konfliktet e trashëguara me vite e vite, në atmosferën e krijuar nga procesi i Berlinit, kanë më shumë mundësi zgjidhjeje”- pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Rama i cili beson se Merkeli do t’i mungojë rajonit, i dha asaj Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Rama ka thënë se Kosova nuk po e shfrytëzon Ballkanin e Hapur por po bën teori konsipracioni.
“….shpesh herë një vend apo një tjetër bëhen shkak që të gjithë të ngecin, prandaj Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njëri absolutisht, por për të mos u varur nga vetë dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, por për të ecur përpara gjithmonë duke pasur parasysh gjithë procesin e Berlinit”- tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Ndërsa Kurti e tha edhe një herë prerë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme dhe se trysnia duhet të bëhet ndaj Serbisë
Pas drekës së përbashkët, Merkel takoi liderët një nga një. Nga Qeveria në Shkup thonë se kryeministri Zaev me kancelaren gjermane ka diskutuar për zgjidhjen e pengesave që qëndrojnë në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut. Kancelarja gjermane Merkel paralajmëroi një takim tjetër më 6 tetor në Presidencën sllovene të BE-së.