Takimi me vajzën që e njohu në Snapchat i del ‘dardhë me bisht’ kosovarit, dy persona e bëjnë llom

Në ditët e sotme rrjetet sociale janë ‘vendi’ më i përshtatshëm për të krijuar njohje të reja.

Përmes komunikimit në platforma të ndryshme, shumë njerëz kanë gjetur shoqërinë dhe dashurinë e jetës. Edhe një i ri në Pejë deshi ta njohë më shumë një vajzë me të cilën po fliste tash e një kohë në ‘Snapchat’, por takimi i shumëpritur i doli atij ‘dardhë me bisht’, raporton Gazeta Sinjali.

Ora 14:45 e ditës së djeshme do e gjente 30-vjeçarin nga Peja duke e pritur në takim vajzën që e njohu përmes rrjeteve sociale. E teksa po priste në parkingun e supermarketit ‘Interex’, atij i erdhi para këmbëve një veturë, nga e cila dolën dy persona të cilët ai nuk i njihte.

Sinjali mëson se shoferi bashkë me pasagjerin dyshohet se me të zbritur nga vetura kanë filluar ta sulmojnë fizikisht pejanin, duke e goditur atë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Si pasojë e lëndimeve të marra nga sherri që e zuri në pikë të ditës, 30-vjeçari është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë ngjarjen që i ndodhi papritur. Ai ka arritur që të identifikojë njërin nga të dyshuarit, pasi kishte dëgjuar teksa iu përmend emri nga shoku i tij gjatë kohës që po e rrihnin.

Njësitet policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin e parë, i cili është një 22-vjeçar. Ai është shoqëruar në stacion për intervistim, ku pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që atij t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu është identifikuar edhe i dyshuari tjetër, por që i njëjti ende ndodhet në arrati.