Takimi i liderëve të Presidenti, mes datave ….

Presidenti Stevo Pendarovski ka marrë pëlqimin e të dy lirëve të partive politike Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski për takimin e liderëve i cili pritet të organizohet mes datave 10 dhe 12 maj. Në një intervistë për emisionin “360 gradë” i cili do të transmetohet në ora 22.00 në Alsat, Pendarovski thotë se përveç gjendjes shëndetësore me virusin, në takim duhet të flitet edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në kushtet kur vendimi i dytë për gjendjen e jashtëzakonshme do të skadojë më 16 maj, Pendarovski thotë se do të krijohet një paqartësi tjetër juridike, mes të drejtës së Qeverisë për të sjell dekrete dhe nevojës së Kuvendit për miratimin e dekreteve që janë sjellë ose miratimin e ligjeve të reja të nevojshme për tejkalimin e situatës. Ai nuk garanton se është i gatshëm të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pafundësisht deri kur të afrohet koha për zgjedhje të rregullta në dhjetor.

Nëse trendet sa i takon COVID 19 stabilizohen dhe në përgjithësi lehtësohen edhe masat për kufizimin e lëvizjes, për rihapjen graduale të bizneseve, nuk jam i sigurt nëse edhe në një situatë të tillë, do t’ju them ja edhe 30 ditë të tjerë, edhe 30 ditë të tjera dhe mos u shqetësoni. Kjo sepse, 30 ditët për herë të dytë u dhanë sepse ishte e patjetërsueshme- deklaroi Stevo Pendarovski.

Sipas Pendarovskit, Kuvendi është i nevojshëm meqë ai si President nuk ka kompetencë të monitorojë punën e Qeverisë. Se cila do të ishte periudha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme, Pendarovski nuk dëshiron të precizojë. Ai thotë se zgjedhjet parapara verës do të duhej të organizohen nën masa të shtuara mbrojtjeje dhe të kujdesit, por ka rezerva sa i takon mundësisë së zbatimit të atyre masave tek ne. Për opsionin e organizimit të zgjedhjeve në vjeshtë, Pendarovski shton:

Ekspertët, nga sfera e epidemiologjisë dhe shëndetësisë, aspak nuk janë të sigurt se në vjeshtë nuk do të ketë një valë tjetër (të infektimit). Ndoshta jo me këto numra por mund të ketë. Vaksinë vështirë se mund të presim deri në fund të këtij viti që të rehatohemi. Flas vetëm nga aspekti shëndetësor dhe jo nga kalkulimet partiake, nëse e lejmë për në shtator, tetor ose deri në dhjetor, kush garanton që atëherë do të kemi situatë më të mirë shëndetësore se sa tani, kur pritet zbutje e fuqisë së infektimit për shkak të rritjes së temperaturave?’- pohoi Stevo Pendarovski.

Nëse partitë politike nuk bien dakord për një datë të re të zgjedhjeve, Pendarovski beson se kjo mund të krijojë një krizë të re politike. Deri tani, partitë kanë qëndrime të kundërta sa i takon rikthimit të Kuvendit dhe asnjëra prej tyre nuk pranon publikisht se është koha për zgjedhje të reja. Iniciativa e 35 deputetëve, kryesisht të LSDM-së dhe opozitës shqiptare për t’u rikthyer në ulëset e ligjvënësit ka mbetur pezull, pa përgjigje zyrtare nga ana e kreut të Kuvendit Talat Xaferi. Kryeparlamentari për mediat ka deklaruar se shpërndarja e Kuvendit ka qenë definitive dhe ai s’mund të rikthehet.

Fatlume Dervishi