Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot e pranoi në kabinetin e tij në takim lamtumirës ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Mari Bërnz. Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit, Xhaferi i shprehu falënderim ambasadores Bërnz për rolin e saj të rëndësishëm në avancimin e proceseve politike në vend, si edhe për mbështetjen e fuqishme të procesit të integrimit në NATO dhe BE gjatë mandatit të saj, duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ja kultivojnë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera.
Ambasadorja Bërnz potencoi se gjatë ushtrimit të saj të funksionit janë marrë disa vendime kryesore në vend dhe ndodhi edhe një ngjarje historike, siç është anëtarësimi në NATO. Ajo shprehu kënaqësi për mundësinë të jetë pjesë e progresit të vendit në tërësi dhe të Kuvendit. Me këtë rast, e vlerësoi si shumë të suksesshme udhëheqjen e Kuvendit nga ana e Xhaferit dhe përpjekjet e tij për të ngritur rëndësinë e Kuvendit si pushtet ligjvënës dhe për të përforcuar pavarësinë e tij.
Bërnz shtoi se të gjithë janë të impresionuar nga arritjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga performanca e saj si anëtare në NATO, qëndron në kumtesë. Në takim, Kryetari Xhaferi i ndau ambasadores Mirënjohje për angazhimin e saj të përgjithshëm dhe i uroi sukses në sfidat e saj të ardhshme profesionale.