Nga Edmond Arizaj
Fred Çako mund të jetë i çmendur. Por mund të jetë duke marrë famë e duke shitur librat e tij me konspiracione. Mund të jetë duke krijuar kishën e tij shqiptare të çakizmit. Por mund të jetë duke u përpjekur të hyjë në histori si profet. Asgjë nga këto nuk është e jashtëligjshme deri më sot. Moralin e lëmë mënjanë. S’ka ligj që ndalon çmendurinë, e as ligj që ndalon profetizimin. Pra Çako mund t’ja fusi p… sa të dojë, lidhur me parashikimet e tij apokaliptike. Pooooor:
1) Unë rastisa e dëgjova diku pak para se të shkonte ora 18.00 në një TV kombëtar, teksa bënte thirrje për mosvaksinim dhe paralajmëronte vd*ekje të njerëzve nëse vaksinohen!
2. Unë e dëgjova teksa i drejtohej indirekt mjekut Ilir Alimehmeti i pranishëm nëpërmjet skype, “Nese është burrë…” dhe në vazhdim “mjekët nuk flasin se u heqin bluzat e bardha”.
3. Unë e dëgjova në ato pesë minuta, teksa bënte thirrje, fr*ikësonte, pa*nikoste, kërc*ënonte, vinte baste për numrin e të vd*ekurve dhe arkivolëve deri në Prillin e ardhshëm (dhe drejtuesja e emisionit që ishte gati të pranonte bastin, a thua do te turpërohej Çako po mos t’i dalë fjala, e sikur po flisnin për kumbulla e jo për të vd*ekur!)
Pyetja ime është e thjeshtë: A ka njeri, organ ligjor, kod etikë që mund ta ndalë këtë njeri dhe zezonat që ndjell, pa asnjë fakt, pa asnjë burim, pa asnjë studim? Si gjithë “profetët” e Botës ai mund të ketë dritaret e tij në rrjete sociale, dhe rrallë ndonjë dalje tip Çani. Daljet e tij dhe ftesat e papushimta në media kombëtare e bëjnë qesharake “të drejtën e fjalës” dhe përpara të drejtës së shikueshmërisë e klikimeve, interesi i publikut duket po aq qesharak kur përmendet rëndom.
Pyes sërish: Mjekun e respektuar (për mua) kush e mbron? Sepse ai pati një sulm verbal krejt të pavend, që më pas nis e përhapet nga “dishepujt” e Çakos në rrjetet sociale dhe mjekun e kthejnë shpejt në objekt të gurëve teknologjikë.
Pyes në fund, më shumë veten: Nuk e kuptojnë këta që bëjnë emisione interesante me profetë, që vala e budallallëkut mund t’i marrë edhe ata para si pa kuptuar?