Syla i reagon Bahtirit: Keni të drejtë me qenë idiot e analfabet, por thjeshtë s’pajtohem


Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ofenduar gazetarin dhe publicistin Valon Syla, vetëm pse ky i fundit ka shprehur një mendim të tij të lirë në Facbook, e kësaj ju ka përgjigjur Syla, i cili i ka dhënë të drejtë të parit të Mitrovicës për të qenë analfabet dhe idiot, por që nuk pajtohet me të, shkruan Gazeta Metro.
“Është e turpshme se si një pseudo-gazetar e sulmon në mënyrën më të ulët diasporën, e cila për dekada ishte kontribuesja më e madhe e Kosovës. Ky i quajtur gazetar e analist, para se të flas për diasporën është mirë të tregoj se kush ia ka financuar portalin e me familjarin e cilin (ish) kryetar partie është ortak në portal”, ka shkruar ndër të tjera Bahtiri.

E ndaj këtij shkrimi ka reaguar Syla, i cili ka thënë se është e drejtë njerëzore me qenë idiot dhe analfabet.
Tutje Syla ka thënë se të qenit kryetar komune, një person si Bahtiri, përpos tjerash është fatkeqësi politike dhe është shembulli më i mirë se çfarë ka prodhuar diaspora.
“Natyrisht që reagon Agim Bahtiri kunder meje, sepse me qenë idiot dhe analfabet është e drejtë njerëzore. Por thjeshtë spajtohemi me referencat. Të qenurit edhe Kryetar komune përpos kësaj është fatkeqësi politike. Ti je shembulli më i mirë çka na ka pru diaspora në Kosovë. Kur flas për analfabeta ti je funksional. Mundesh me i fitu zgjedhjet vetëm Mitrovicë edhe atë në round të dytë… tash ke nxjerrë edhe libër. Skënderbeu 200 faqe, Agim Bahtiri 500 faqe… i madh je”, ka thënë Syla në një prononcim për media.

Ky është postimi i tij pa ndërhyrje i Agim Bahtirit:
Është e turpshme se si një pseudo-gazetar e sulmon në mënyrën më të ulët diasporën, e cila për dekada ishte kontribuesja më e madhe e Kosovës. Ky i quajtur gazetar e analist, para se të flas për diasporën është mirë të tregoj se kush ia ka financuar portalin e me familjarin e cilin (ish) kryetar partie është ortak në portal.

Një person që gjithë karrierën e tij i ka shërbyer një partie politike nuk ka të drejt të ofendoj diasporën, e cila e ka financuar rezistencën paqësore, luftën e UÇK-së dhe ri-ndërtimin e Kosovës pas luftës që ishte e shkatërruar dhe e djegur deri në themel.
Të quhen diaspora njerëz analfabetë është poshtërsia më madhe. Pasi që ne duhet të ndihemi krenar se nga diaspora jonë në Europë dhe ShBA kanë dalë personalitete të shquara, si profesorë të universiteteve më prestigjioze, mjekë, inxhinierë, por edhe politikanë e biznesmenë të fuqishëm, të cilët janë integruar mjaftë mirë në kulturën e vendeve ku jetojnë e veprojnë.

Si person që kam ardhura nga diaspora për të kontribuar në Kosovë, ndihem jashtëzakonisht keq për debatin e fundit publik të nisur nga një person pa kurrfarë vlere.
Unë dhe familja ime i përkulemi përjetësisht diasporës dhe luftës së UÇK-së, pa të cilat nuk do të kishte Kosovë.