Sveçla për rastin e së moshuarës: Ngjarje e tmerrshme, gruaja ishte nënë e dëshmorit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Top Chanel, është shprehur i tmerruar nga pamjet të cilat tregojnë se si një grua e moshuar keqtrajtohet fizikisht nga një infermiere në një Qendër për të Moshuar në Pejë. Svecla, ka thënë se e ka pasur të vështirë ta përcjellë deri në fund video-incizimin, teksa ka shtuar se viktima ishte nënë e një dëshmori.

“Një video që tregon ngjarje të tmerrshme unë për vete kam pas vështirësi ta përcjell deri në fund, ku ka një dhunë të shfrenuar mbi një grua të moshuar, mbi të gjitha nënë e dëshmorit, nga personeli i një institucioni që do duhej primare ta ketë kujdesin dhe shërbimin ndaj kësaj kategorie të njerëzve, që janë më të lëndueshme, kategori së cilës i kemi të gjithë borxh”, ka thënë Svecla.Sveçla, bëri të ditur se ka kontaktuar menjëherë me Policinë e Kosovës, nga të cilët ka kërkuar që së bashku me prokurorinë, ta hetojnë detajisht rastin. Ministri ka kërkuar që të hetohet e gjithë veprimtaria e institucionit përgjegjës.

“Kam kontaktu menjëherë, edhe pse jam në Tiranë, me policinë e Kosovës, kam marrë infot e para, tashmë kemi disa arrestime, kam kërkuar fuqishëm nga ta që së bashku me prokurorinë ta hetojnë deri në detaji9n e fundit jo vetëm këtë ngjarje, por veprimtarinë e gjithë këtij institucioni, që çdo kush që është sjellë në këtë mënyrë kriminale të sillen para drejtësisë”, ka thënë ai. Ai theksoi, se institucionet e Kosovës, nuk do të ndalen derisa të gjithë akterët të dalin para drejtësisë.
Ndërkaq, deri më tani janë ndaluar tre persona të cilët dyshohen për keqtrajtimin e gruas së moshuar.