“Superliga do vriste futbollin! Tifozët janë kundër”, Barcelona “tradhtohet” nga lideri i mbrojtjes


Superliga Europiane është një projekt që vazhdon të krijojë debat, dhe të kundërshtohet. Gerard Pique ka konfirmuar qëndrimin e tij kundër turneut të ri që po tentojnë të themelojnë Barcelona, Real Madrid dhe Juventus, tre klubet e vetme që nuk kanë hequr dorë akoma.

“Për mendimin tim do ta shkatërronte futbollin. Skuadrat e mëdha do të përfitonin, por Superliga Europiane do të shkatërronte klube si Sevilla dhe Valencia, apo edhe klube të tjera angleze që kanë shumë tifozë.
Ata nuk do të kishin të ardhura për 5-10 vitet e ardhshme, do të vinte fundi i futbollit. Sigurisht që i kuptoj klubet e mëdha, ata duan të mbrojnë interesat e tyre, por nuk mendoj se ky projekti është zgjidhja e duhur.

E di që po dal kundër klubit, por ky është vetëm mendimi im personal. Unë e kuptoj këndvështrimin e Barcelonës, Realit dhe Juventusit, por kjo nuk është mënyra e duhur për një tifoz”, deklaroi mbrojtësi i njohur në një bisedë me Gary Neville.