“Sunny Hill Festival” për 2022-n në Prishtinë, paralajmëron befasi

Pasditen e së premtes, këngëtarja Dua Lipa ka mbajtur edhe një bashkëbisedim për mediat në Tiranë duke pasur si shkas vizitën e saj. Në prezantimin e bërë para gazetarëve, kryebashkiaku Veliaj ka thënë se Dua në kryeqytetin shqiptar nuk ishte vetëm si muzikante e yll, por edhe si “brigadiere” me jelekun e gjelbër.

“Mbi të gjitha besoj, përveç të qenët artist i mirë duhet të jesh edhe njeri i mirë. Ka njerëz që flasin dhe të tjerë që bëjnë e kur ishte situata me tërmetin kishte njerëz që luteshin e të tjerë që u përpoqën të bëjnë diçka konkrete”, ka thënë Veliaj për idenë e rindërtimit të kopshtit në qendër të Tiranës.
Në emër të fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, duke folur për konceptin e projektit për kopshtin në Tiranë, ka thënë se prej 2016-s ka filluar rrugëtimi për bamirësi.

“Tash jemi në proces të hapjes së një objekti në Prishtinë, që do të jetë si një hapësirë ku artistët e rinj do të kenë mundësi të eksplorojnë talentin e ri”, ka thënë Dukagjini për projektin “Sunny Hill Academy”, ndërkaq ka shfaqur shpresën që fondacioni në të ardhmen të shtrihet edhe në Tiranë.
Në fjalën e saj, këngëtarja Dua Lipa ka ritheksuar kënaqësinë e saj që po mund të ndihmojë jo vetëm për projektin e kopshtit në Tiranë, por edhe më shumë se kaq.

“Kjo është një ëndërr e madhe për mua, veçmas për një komunitet që më ka dhënë shumë, për të gjithë shqiptarët që më mbështetën dhe kjo është veç një mënyrë e vogël se çfarë mund të bëj unë”, ka thënë ajo.
Duke iu përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve për edicionin e ardhshëm të “Sunny Hill Festival”, ajo ka paralajmëruar se do të ketë prani të artistëve të njohur ndërkombëtarë, por nuk ka dhënë ndonjë informacion se cilët do të jenë ata.

“Kemi qejf t’i ruajmë befasitë deri në momentin e fundit”, ka thënë Lipa për edicionin e vitit të ardhshëm që do të ketë për herë të parë kohëzgjatje prej katër ditësh.
Ndërkaq Dukagjin Lipa ka folur për arsyet që “Sunny Hill Festival” nuk u mbajt sivjet, duke e përmendur pandeminë si shkakun kryesor.
“Por po kaq hendikep ishte edhe çështja e hapësirës që nuk u akordua deri para disa javësh”, ka shtuar ai.

Edicioni i dytë “Sunny Hill Festival” u mbajt në vitin 2019 në Prishtinë. Me tre net me afro 50 mijë të pranishëm në fundjavën e parë gushtit të atij viti, “Sunny Hill Festival” solli në Kosovë emra të përveçëm të muzikës botërore, përderisa mediat ndërkombëtare do të raportonin në vazhdimësi për të. Në skenën gjigante në parkun e Gërmisë kishin performuar yje botërorë, si Miley Cyrus e Gashi përderisa DJ i njohur Calvin Harris do ta elektrizonte natën finale.

Më 14 qershor të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi vendimin për ndarjen e hapësirës për “Sunny Hill Festival”. Me 32 vota për, asamblistët miratuan propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahet prona komunale në Bërnicë të Poshtme afër Qendrës së panaireve në Shkabaj. Siç është projektuar, aty do të ketë kapacitet për 100 mijë veta.