Teksa zyrtarët e Policisë së Kosovës po tentonin të ndalonin një kamion të dyshuar për kontrabandim mallrash, policia u pengua nga auatomjete civile në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.
Siç njofton policia, kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur dy herë një veturë zyrtare policore. Si pasojë janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe është dëmtuar automjeti i policisë.
Tutje, në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke edhe përdorur armën zyrtare”, njofton policia.
“Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe sipas urdhrit të tij, personi i dyshuar A.D, është dërguar në mbajtje dhe iniciohen rastet për ‘Kalim i Kufirit Ilegal’, ‘Kontrabandim Me Mallra’, dhe ‘Sulm ndaj Personit Zyrtar’. Personi i dyshuar U. R, (2002), vozitës i veturës lirohet në procedurë të rregullt ndërsa malli i kontrabanduar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme”, njofton policia.
Nga veprimet jo ligjore dhe me rrezikshmëri të lartë të dyshuarit, janë lënduar pesë zyrtarë policorë të cilët kanë marrë trajtim mjekësor si dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.