Deri një javë më parë, askush nuk ka pasur frikë nga lufta në fshatin Karakurt, që ndodhet në rajonin e Odesës në jug të Ukrainës, ku jetojnë rreth 3,000 banorë, shumica e të cilëve me prejardhje shqiptare, thotë Aleksander Lekhov, 32-vjeçar nga ky fshat. Por, në dy ditët e fundit, e sidomos pas bombardimeve në mëngjesin e së enjtes nga forcat e Rusisë në afërsi të Odesës, frika e banorëve të Karakurtit është rritur se lufta do t’ju trokasë edhe në dyert e tyre.
Lekhov, me pak vështirësi për të folur në gjuhën shqipe, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, situatën në fshatin dhe rajonin ku jeton. Ai thotë se askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja.
“Rreth 250 kilometra nga ne është qyteti i Odesës. Aty ka pasur bombardime në orën 5 të mëngjesit. Njerëzit nuk po dalin në punë, shkollat nuk po punojnë. Të gjithë po rrinë në shtëpi. Nuk e di çfarë do të bëhet nesër dhe pasnesër, por e di njëqind për qind që lufta në Donjeck dhe Luhansk po vazhdon. Por, këtu te ne, në rajonin e Odesës, ka pasur vetëm bombardime në mëngjes. Tash është qetësi”, tha Lekhov.
Me Aleksander Lekhovin, Radio Evropa e Lirë ka biseduar rreth orës 13, më 24 shkurT.
Ai shtoi se nuk mund të flasë me shumë siguri se cila është situata në qytetin e Odesës, por nga ajo çfarë ka kuptuar nga miqtë e tij atje, janë shtuar radhët e gjata të veturave në pikat e furnizimit me karburante dhe në dyqane ku njerëzit po përpiqen të furnizohen me ushqime. Tash për tash, siç thotë ai, nga fshati Karakurt nuk është larguar askush, por nga qyteti i Odesës, sipas tij, një numër i caktuar njerëzish po përpiqen të ikin.
“Për shembull, kam shumë shokë që jetojnë në Odesa dhe ata me makina kanë filluar të ikin në fshatin tonë, këtu afër. Por, ata njerëz që kanë lekë (para) po largohen jashtë shtetit”, tha Lekhov.
Ai shtoi se ata që nuk janë të pasur, nuk kanë asnjë mundësi të largohen nga shteti, e madje as të zhvendosen nga një qytet ose rajon ku ka bombardime dhe të shkojnë në një zonë ose qytet, që sipas tij, llogaritet të jetë më i sigurt.
“Kjo është e vërtetë. Për shembull, unë tani, me familjen time, nuk mund të ikim në një shtet tjetër, sepse duhen lekë për të gjithë njerëzit dhe këtu tani nuk kemi të gjithë. S’kam mundësi tani. Do të shikojmë se çfarë po bëhet brenda dy ditësh dhe do të mundohemi (për të gjetur zgjidhje)”, u shpreh Lekhov.
Autoritetet e Ukrainës tashmë kanë shpallur gjendje lufte në vend dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, u ka bërë thirrje qytetarëve ukrainas të mbrojnë shtetin kundër sulmit rus, duke thënë se do të ofrohen armë për t’iu bashkuar luftimeve.
Por, Lekhov vlerëson se njerëzit në fshatin e tij janë skeptikë dhe ndihen të pasigurt.
“Njerëzit nuk po dinë se çfarë të bëjnë. Njerëzit duan të largohen, por nuk kanë lekë, ndërkaq që kanë frikë se mos po nis lufta me njëri-tjetrin këtu. Nuk e di, por dhëntë Zoti dhe të na ndihmojë që të ndalojë e gjithë kjo situatë këtu”, tha Lekvov.
Banorët e fshatit Karakurt janë në mesin e rreth 5 mijë qytetarëve me prejardhje shqiptare, të cilët jetojnë në Ukrainë.
Të parët e tyre besohet se kanë shkuar atje rreth 200 vjet më parë, për t’iu ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në zonën e Ballkanit.
Në mëngjesin e 24 shkurtit, ushtria e Federatës Ruse ka nisur sulmet mbi Ukrainën.
Autoritetet e Ukrainës kanë theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.