Vendimi historik i Shqipërisë i këtij muaji për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas sulmeve masive kibernetike, filloi me një hetim të nivelit të lartë, deklaroi kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Tim Starks të gazetës së njohur amerikane “Washington Post”.
“FBI dhe një ekip nga Microsoft punuan me ekspertë të huaj dhe shqiptarë për të identifikuar katër grupe të veçanta hakerash që qeveria iraniane dihet që i sponsorizon, veçanërisht jashtë Ministrisë së saj të Shërbimeve Sekrete. Një prej tyre ishte në mesin e 10 grupeve më të mëdha të terrorizmit kibernetik, gjurmët e të cilëve janë zbuluar gjithashtu pas sulmeve ndaj Arabisë Saudite, Izraelit e kështu me radhë.” Për Washington Post, kryeministri thotë se synimi i hakerave ishte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës dixhitale.
“Në bazë të hetimeve, shkalla e sulmit ishte e tillë që synimi pas tij ishte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës sonë për të na çuar në epokën e letrës dhe në të njëjtën kohë, zhdukja e të gjitha të dhënave tona. Ndjesia jonë e parë është se ata nuk ia dolën të shkatërrojnë infrastrukturën. Shërbimet janë rikthyer. Së dyti, të dhënat. Po, ata morën disa, por praktikisht jo me ndonjë rëndësi të veçantë.”
Ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin, kryeministri Edi Rama nuk e ka quajtur humbje të madhe për shkak se Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të rëndësishme me këtë shtet.