Të paktën dyzet vetë, kryesisht gra dhe fëmijë u vranë të shtunën në valën e fundit të sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kundër “xhepit” të fundit të mbajtur nga Shteti Islamik në Siri, pranë kufirit me Irakun.
I pyetur për raportimet e sulmeve ajrore në zonën Buqan pranë Hajinit, në brigjet lindore të lumit Eufrat, zëdhënësi i koalicionit konfirmoi se kishte pasur sulme, por mohoi se kishte viktima civile.
Kolonel Sean Ryan, zëdhënësi i koalicionit, tha se “koalicioni merr masa të mëdha për të identifikuar dhe goditur objektivat e duhura të ISIS, në mënyrë që të shmanget viktima civile”.
Agjencia e lajmeve Amaq, e Shtetit Islamik citoi një burim mjekësor që thoshte se 40 vetë ishin vrarë, një pretendim që ishte bërë edhe nga mediat siriane. Të afërmit e familjeve të zonës dhe të mediave siriane thanë se dhjetëra njerëz janë vrarë në dy javët e fundit nga sulmet ajrore të koalicionit në SHBA në Hajin dhe në zonat përreth tij.
Qeveria siriane protestoi pak më shumë se një javë më parë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara rreth një sulmi ajror nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik, ku thuhej se u vranë 26 civilë në Hajin.
Lufta është faza e fundit e përpjekjeve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Forcave Demokratike të Sirisë (SDF), për të larguar Shtetin Islamik nga vendi i fundit që kontrollon, në lindje të lumit Eufrat.