Sulejman Rexhepi mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit
“Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (Suretul Haxh: 37)
Të dashur vëllezër dhe motra!
Falënderimet tona i takojnë vetëm Allahut të Plotfuqishëm, i cili na e mundësoi përjetimin e festës së madhe të Kurban- Bajramit. Sigurisht se shpirti i kësaj feste është mishërim i parimeve fundamentale islame, i moralit dhe përkushtimit tonë ndaj vlerave fetare, humane dhe njerëzore, sepse Bajrami është festë e përmbushur me dashurinë, respektin dhe nënshtrimin tonë ndaj porosive hyjnore.
Kjo festë fton të gjithë besimtarët të jenë të përkulur, arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve, pa dallim feje dhe që mendon ndryshe, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe dorën tonë.
Të dashur besimtarë!
Nevoja jonë për ndihmën e Allahut është e pakontestueshme, andaj jeta dhe veprimtaria jonë nuk mund të paramendohet pa besim dhe pa mësimet fetare, ngase neglizhenca dhe moskujdesi ndaj mësimeve hyjnore na shpiejnë në humbje, varfëri intelektuale dhe kulturore, por gjithsesi edhe në degjenerim të vlerave shoqërore dhe njerëzore në përgjithësi.
Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete porosinë e flijimit për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë.
Festa ndërlidhet me disa ngjarje, të cilat i përkasin rëndësisë së veçantë shikuar nga këndvështrimi islam; ndërlidhet me kryerjen e shtyllës së pestë të Islamit – me Haxhin, me përmbylljen e Fjalës dhe mrekullisë së pavdekshme, Kuranit fisnik – Librit të fundit hyjnor të shpallur për gjithë njerëzimin.
Potenciali intelektual dhe ai shpirtëror gjithnjë duhet frymëzuar nga vepra kapitale dhe e ndritur e Muhamedit (a. s.). Vetëdija jonë në këto çaste duhet të jetë tejet e madhe dhe njëherit e ngritur dhe ndërtuar mbi bazë të filozofisë së fuqishme që rrezaton nga drita e Kuranit.
Besimtarë të nderuar, të vazhdojmë të respektojmë porositë madhështore të Krijuesit tonë, Allahut Fuqiplotë, të ndihmojmë njëri-tjetrin e të mos vështirësojmë! Paragjykimet dhe urrejtja asnjëherë nuk kanë sjellë paqe dhe dashuri, mashtrimi i muslimanit dhe kujdesi ndaj interesave personale nuk i takojnë fesë sonë, aq më pak sidomos keqpërdorimi i nijeteve që lidhen këto ditë me therjen e kurbaneve. Sot, le të dëshmojmë zemërgjërësinë tonë; mos t’i harrojmë të dashurit tanë, farefisin, fqinjët, ata që janë në nevojë!
Motra e vëllezër muslimanë, zgjateni dorën e bujarisë ndaj të gjithëve dhe mos lejoni t’u pengojë koprracia, sepse me këtë do të dëshmoni sjelljen e bukur islame, që buron bashkë me dritën e besimit tuaj.
Të dashur besimtarë më lejoni që t’ua uroj festën madhështore të Kurban-Bajramit, me shpresë dhe lutje tek Allahu i Plotëfuqishëm që t’i pranojë ibadetet, adhurimet e ndryshme, aktin dhe simbolin e sakrificës dhe veprat tona të sinqerta e të bereqetshme.
Urime, për shumë vjet festa e Kurban-Bajramit!
Allahu ju bekoftë dhe paçit mëshirat e Tij për jetë e mot!
ish Reis Ul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi