Suedia tërheq ftesën që ia bëri ambasadorit rus për ceremoninë Nobel


Fondacioni i Nobelit e ka revokuar vendimin e tij për ta ftuar ambasadorin rus në Suedi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel, pas kritikave të ashpra që ka pranuar nga politikanët suedezë.

“Ne kemi vendosur ta përsërisim përjashtimin e vitit të kaluar – që nënkupton se nuk do t’i ftojmë ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Stokholm”, ka thënë fondacioni të shtunën.

Në të njëjtën kohë, organizata e ka mbrojtur vendimin paraprak për përfaqësuesin e Moskës.

Në deklaratë është thënë se është konsideruar “e rëndësishme dhe e drejtë që të ftohen sa më shumë njerëz për t’i shpërndarë vlerat dhe mesazhet për të cilat ndahet Nobeli”.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson e ka kritikuar ftesën për ambasadorin rus dhe disa politikanë tjerë suedezë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ceremoni, nëse aty do të jetë përfaqësuesi rus.

Çmimet Nobel për Letërsi, Mjekësi, Fizikë, Kimi dhe Ekonomi, do të ndahen në Stokholm, më 10 dhjetor.

Çmimi Nobel për Paqe do të ndahet në të njëjtën ditë nga Komiteti norvegjez i Nobelit në Oslo.