Studimi: Vendet e pasura kanë siguruar vaksinat kundër Covid-19, pjesa tjetër duhet të presë deri në

Vaksinat kundër koronavirusit mund të mos arrijnë te një e katërta e njerëzve në botë, deri në vitin 2022, zbulon studimi. Pak më shumë se gjysma e të gjitha dozave të planifikuara, të vaksinave të koronavirusit, janë blerë nga vendet me të ardhura të larta, si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Australia, që do të thotë se një e katërta e popullsisë së botës nuk do të mund të vaksinohen deri në vitin 2022, njoftuan studiuesit.

Këto vende të pasura kanë porositur paraprakisht afër 7.5 miliardë doza vaksinash Covid-19, të mjaftueshme për të vaksinuar 3.76 miliardë njerëz, zbulon universiteti Johns Hopkins Bloomberg. Në kohën kur u shkrua raporti, SHBA llogariste një të pestën e të gjitha rasteve globale Covid-19, por kishin rezervuar 800 milionë doza të vaksinës. Japonia dhe Australia përbënin më pak se 1% të rasteve, por kishin ndarë 1 miliardë doza.

Studiuesit parashikuan që 13 prodhuesit kryesorë të vaksinave që punojnë në vaksinat e koronavirusit kanë kapacitetin e mundshëm për afër 6 miliardë vaksina deri në fund të vitit 2021. “Pak më shumë se gjysma (51%) e këtyre dozave do të shkojnë në vendet me të ardhura të larta, të cilat përfaqësojnë 14% të popullsisë së botës. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë pjesën e mbetur, pavarësisht se këto vende përbëjnë më shumë se 85% të popullsisë së botës”, shkruajnë ata në raportin e tyre, botuar në BMJ.

“Edhe nëse të gjithë këta prodhues të vaksinave do të kishin sukses në arritjen e kapacitetit të tyre maksimal të prodhimit, të paktën një e pesta e popullsisë së botës nuk do të kishte qasje në vaksina, deri në vitin 2022.” Megjithatë, ka një përpjekje për ta shmangur këtë. COVAX, e koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, iniciativa globale e vaksinave Gavi dhe Koalicioni për Inovacionet e Gatishmërisë Epidemike (CEPI), po përpiqen të ndërtojnë kapacitet prodhues për 2 miliardë doza të vaksinës koronavirus.