Studimi: Shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi, më e ulët nga sa është raportuar

Një studim i fundit i botuar në gazetën mjekësore “Lancet” thotë se shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi është më e ulët sa ishte raportuar deri tani, por më e lartë se gripi sezonal.

Sipas këtij studimi, vdekshmëria nga koronavirusi është rreth 0.66%, ku merren në konsideratë edhe rastet më të buta. Megjithatë, sërish kjo shkallë është më e lartë se gripi që u merr jetën 0.1% të personave të infektuar.

Në rastet kur të prekurit pa simptoma nuk llogariten, studimi i “Lancet” ka dalë në përfundimin që shkalla e vdekshmërisë është 1.38%, një shifër më pranë raporteve të mëparshme.

Në fillim të muajit mars, Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA u shpreh se shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi është rreth 2%, por theksoi se kjo përqindje mund të jetë më e ulët nëse llogariten edhe rastet asimptomatike.

Deri tani, llogaritjet janë bërë kryesisht me rastet e konfirmuara, ndërsa mendohet se rastet asimptomatike ose të buta janë të shumtë.

Ky studim del në përfundimin që në grupmoshën nën 40 vjeç, vdekshmëria është 0.16%, ndërsa për fëmijët nën 9 vjeç është 0.00161%./fmimages