Studimi: Pasi lënë spitalin, pacientët me Covid i pret një tjetër “luftë”

Pacientët që preken rëndë nga koronavirusi përballen me një betejë të vështirë, por kthimi në normalitet pas shërimit është gjithashtu një proces i gjatë dhe i vështirë për ta, sipas një studimi të ri.
Ky studim zbuloi se pacientët që mposhtnin Covid-19 kishin të ngjarë të përballeshin me probleme shëndetësore dhe financiare edhe muaj më vonë.

Një ekip shkencëtarësh i udhëhequr nga Dr. Vineet Chopra, i Sistemit Shëndetësor të Universitetit të Miçiganit hulumtuan 488 pacientë me Covid-19 të trajtuar nga spitalet në Michigan. Ata i anketuan ata rreth dy muaj pas daljes nga spitalet, midis 16 marsit dhe 1 korrikut.
Sipas studiuesve ndikimet që koronavirusi lë pas prekin shëndetin, anën emocionale dhe financat e pacientëve.
Ndikimi në shëndet: Një e treta e të anketuarve raportuan probleme të vazhdueshme shëndetësore, të tilla si kollë, apo humbje të vazhdueshme të shijes ose nuhatjes, raportuan studiuesit në revistën Annals of Internal Medicine.

Ndikimi emocional: Gati gjysma thanë se ishin “prekur emocionalisht” nga sëmundja e tyre dhe një numër i vogël i personave që kanë kaluar koronavirusin, kërkuan kujdes shëndetësor mendor pas shërimit.
Ndikimi financiar: 36% e të anketuarve raportuan “të paktën një ndikim të butë financiar nga shtrimi në spital”. Nga ata që ishin të punësuar para sëmundjes së tyre, 40% thanë se ose e humbën punën e tyre ose ishin shumë të sëmurë për t’u rikthyer në të.