Studimi/ Koronavirusi shkakton një gamë shumë më të gjerë problemesh shëndetësore


ÇIKAGO, 26 qershor – Shkencëtarët sapo kanë filluar të kuptojnë një gamë të gjerë të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga koronavirusi i ri, disa prej të cilave mund të kenë efekte të zgjatura për pacientët dhe sistemet shëndetësore për vitet në vazhdim, sipas mjekëve dhe ekspertëve të sëmundjeve infektive.

Përveç problemeve të frymëmarrjes që i bëjnë pacientët të mundohen të mbushen me frymë, virusi që shkakton sëmundjen COVID-19 sulmon shumë sisteme organesh, në disa raste duke shkaktuar dëme katastrofike. “Ne menduam se ky ishte vetëm një virus i frymëmarrjes. Rezulton se ai shkon në pankreas. Shkon në zemër. Shkon në mëlçi, tru, veshka dhe organe të tjera. Ne nuk e vlerësuam që në fillim”, tha Dr. Eric Topol, kardiolog dhe drejtor i Institutit “Scripps Research Translational” në La Jolla, Kaliforni.

Përveç shqetësimeve të frymëmarrjes, pacientët me COVID-19 mund të pësojnë çrregullime të koagulimit të gjakut që mund të çojnë në goditje dhe inflamacion ekstrem që sulmon sisteme të shumta organesh. Virusi gjithashtu mund të shkaktojë komplikacione neurologjike që variojnë nga dhimbja e kokës, marrje mendsh dhe humbjen e shijes ose nuhatjes, deri tek spazmat dhe konfuzioni.

Dhe shërimi mund të jetë i ngadaltë, i paplotë dhe i kushtueshëm, me një ndikim të madh në cilësinë e jetës. Manifestimet e gjera dhe të shumëllojshme të COVID-19 janë disi unike, tha Dr. Sadiya Khan, një kardiologe në Northwestern Medicine në Çikago. Me gripin, njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës janë gjithashtu në rrezik më të madh për komplikacione, tha dr. Khan. Ajo që është befasuese për këtë virus janë përmasat e komplikacioneve që ndodhin jashtë mushkërive. Dr. Khan beson se do të ketë shpenzime të mëdha për kujdesin shëndetësor dhe barrë të rëndë për individët që i kanë mbijetuar sëmundjes COVID-19.

Rehabilitim më të zgjatur për shumë njerëz
Pacientët që ishin në njësinë e kujdesit intensiv ose me respirator për javë të tëra do të duhet të kalojnë kohë të gjatë në rehabilitim për të rifituar lëvizshmërinë dhe forcën. “Mund të duhen deri në shtatë ditë për çdo një ditë që je në spital për të rikuperuar atë lloj force”, tha dr. Khan. “Është më e vështirë për moshat më të vjetra, dhe nuk mund të kthehesh kurrë në të njëjtin nivel funksioni”.

Ndërsa pjesa më e madhe e vëmendjes ka qenë në pjesën më të vogël të pacientëve që përjetojnë sëmundje të rëndë, mjekët gjithnjë e më shumë po shqyrtojnë nevojat e pacientëve të cilët nuk ishin të sëmurë sa duhet për të kërkuar shtrimin në spital, por ende po vuajnë muaj pasi u infektuan fillimisht. Sapo kanë filluar studimet për të kuptuar efektet afatgjata të infeksionit, u tha të enjten gazetarëve në një konferencë nëpërmjet telefonit Jay Butler, zëvendësdrejtori për sëmundjet infektive në Qendrat e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Dëgjojmë raporte sporadike për njerëz që kanë lodhje të vazhdueshme, gulçim”, tha Butler. “Sa kohë do të zgjasë është vështirë të thuhet”. Ndërsa simptomat e koronavirusit zakonisht fashiten në dy ose tre javë, rreth 1 në 10 persona përjetojnë simptoma të zgjatura, shkruajti të martën në Revistën Mjekësore Britanike Dr. Helen Salisbury nga Universiteti i Oksfordit. Dr. Salisbury tha se shumë nga pacientët e saj kanë rezultate normale nga grafitë e gjoksit dhe nuk kanë asnjë shenjë të inflamacionit, por ende nuk janë kthyer në normalitet.

“Nëse më parë keni vrapuar për 5 kilometra tri herë në javë dhe tani ndjeheni pa frymë pas një ngjitjeje të vetme shkallësh, ose nëse kolliteni pa ndërprerje dhe jeni shumë të lodhur për t’u rikthyer në punë, atëherë frika se mund të mos e rifitoni kurrë shëndetin tuaj të mëparshëm është shumë e vërtetë”, shkruajti ajo. Doktor Igor Koralnik, shef i sëmundjeve neuro-infektive në Northwestern Medicine, shqyrtoi literaturën aktuale shkencore dhe zbuloi se rreth gjysma e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 kishin komplikacione neurologjike, si marrje mendsh, ulje të gatishmërisë, vështirësi në përqëndrim, çrregullime në aromë dhe shije, spazma, goditje në tru, dobësi dhe dhimbje muskujsh.

Dr. Koralnik, zbulimet e të cilit u botuan në revistën “Annals of Neurology”, ka filluar një klinikë ambulatore për pacientët COVID-19 për të studiuar nëse këto probleme neurologjike janë të përkohshme apo të përhershme. Dr. Kahn vëren ngjashmëri me HIV-in, virusin që shkakton sëmundjen SIDA. Pjesa më e madhe e vëmendjes fillestare ishte te vdekjet. “Në vitet e fundit, ne kemi qenë shumë të përqendruar në komplikimet kardiovaskulare të të mbijetuarve nga HIV-i”, tha dr. Kahn.