Studimi: Infektimi me koronavirus është shumë më i dëmshëm se efektet anësore të vaksinës

Një studim i gjerë i zhvilluar në Izrael, ku janë përfshirë 2 milionë persona, tregon se vaksina kundër koronavirusit e Pfizer/BioNTech rrit lehtë rrezikun e inflamacionit të zemrës, të fryrjes së nyejve limfatike dhe të herpesit.

Por gjithashtu del në përfundimin se infektimi me Covid-19 e rrit edhe më shumë rrezikun e inflamacionit të zemrës, plus rrit rrezikun e mpiksjes së gjakut, atakut në zemër dhe problemeve të tjera që mund të shkaktojnë edhe vdekjen.
Në rastet e identifikuara me probleme te të vaksinuarit, 3 në 100 mijë, thuajse të gjithë ishin djem të rinj. Por në rastet e identifikuara me probleme, te personat e infektuar, ky raport ishte 11 në 100 mijë.

Dr. Ran Balicer, nga “Clalit Research Institute” në Tel Aviv, dhe kolegët e tij që kanë shkruar raportin e publikuar në “New England Journal of Medicine” thanë se kishin gjetur disa raste të personave me miokarditis, një tip inflamacioni i zemrës që është lidhur së fundmi me vaksinat me ARN mesazhere, si Pfizer dhe Moderna.
Ky është studimi i parë që krahason rrezikun e vaksinimin përkundër atij të infektimit me koronavirus, brenda të njëjtës popullsi në të njëjtën periudhë kohore, që tregon se rreziku i infektimit e tejkalon atë të efekteve anësore të vaksinës.