Studimi i ri tregon renditjen e simptomave të COVID-19

Hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornisë Jugore kanë thënë se kanë gjetur se simptomat e koronavirusit paraqiten në një renditje specifike, një zbulim që mund të ndihmojë gjetjen e mëhershme të virusit dhe trajtim më të lehtë për pacientët.

Sipas studimit, të publikuar në revistën mjekësore “Frontier Public Health” renditja më e shpeshtë e simptomave është: ethe pastaj kolla dhe dhimbja e muskujve e pasuar nga nausea dhe ose e vjella dhe më pas diarreja shkruan “CBS”. Studimi është bazuar në të dhënat e rreth 55 mijë pacientëve.

Megjithatë, jo të gjithë pacientët vuajnë të njëjtat simptoma. Por gjetjet e reja pritet të ndihmojnë dallimet e COVID-19 nga sëmundjet tjera. Teksa ethet dhe kolla janë të lidhura edhe me disa sëmundje tjera studimi thekson se koha kur shfaqen këto simptoma dhe më pas simptomat tjera ajo që e dallon virusin nga tjerët. Në një njoftim për virusin, shkencëtari i këtij universiteti Peter Kuhn ka thënë se kuptimi i renditjes së simptomave të virusit është shumë i rëndësishëm.

“Doktorët mund të kenë më të lehtë të dinë çfarë hapa të ndërmarrin në kujdesin për pacientët dhe mund të ndalin përkeqësimin e gjendjes së një pacienti” ka thënë ai. COVID-19 deri tash në botë ka marrë jetën e 767 mijë njerëzve sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”. Deri tash janë regjistruar 21.2 milionë të infektuar.