Studimi britanik, vaksinat e gripit dhe COVID-19 mund të merren njëkohësisht


Një studim britanik rezultatet e të cilit u bënë publike të enjten, arrin në përfundimin se është e sigurt që të merren njëkohësisht vaksina kundër COVID-19 dhe gripit dhe se një gjë e tillë nuk ndikon negativisht në reagimin e imunitetit ndaj asnjërës prej tyre.

Britania dhe vendet e tjera të hemisferës veriore po përgatiten për një dimër të ashpër dhe mundësinë e një rritjeje të rasteve të gripit ndërsa lehtësohen kufizimet e COVID-19 dhe masat e distancimit fizik. Të moshuarve, grupeve më të rrezikuara dhe punonjësve të shëndetësisë në Britani po u jepen dozat përforcuese të COVID-19, ndërsa qeveria e kryeministrit Boris Johnson ka premtuar gjithashtu për programin më masiv të vaksinimit nga gripi në histori këtë vit.

Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Bristolit, zbuloi se efektet anësore të raportuara ishin zakonisht të lehta deri në të moderuara në testet me tre vaksina gripi dhe Pfizer ose AstraZeneca për COVID-19. “Ky është një hap vërtet pozitiv që mund të nënkuptojë më pak vizita për t’u vaksinuar për ata që duhet të bëjnë të dyja vaksinat,” tha kryetarja e grupit studimor, Rajeka Lazarus.

“Rezultatet e këtij studimi i janë paraqitur Komisionit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) për shqyrtim dhe do të ndihmojnë hartuesit e politikave në planifikimin në të ardhmes të këtyre programeve të rëndësishme të vaksinimit”, tha ajo. Vaksinat u dhanë në të njëjtën ditë, në krahë të ndryshëm.

Një grupi iu bë një dozë vaksine për COVID-in dhe një vaksinë gripi në vizitën e parë, dhe një placebo në vizitën e dytë, dhe një grupi tjetër iu dha një dozë vaksine COVID-19 dhe një placebo në të njëjtën ditë, e ndjekur nga një vaksinë gripi në ditën e dytë. Sipas studimit, 97% e pjesëmarrësve thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin dy vaksina në të njëjtën vizitë në të ardhmen. Studimi përfshiu 679 vullnetarë në Angli dhe Uells, dhe u botua si një studim paraprak dh rezultatet e plota që do të botohen në revistën shkencore Lancet.