Studim i ri: Çfarë dimë për imunitetin ndaj Koronës

Ja disa nga mësimet e nxjerra prej krizës së Coronës 2020: Ne e kemi pranuar ose të paktën jemi mësuar me faktin se për COVID-19 ekzistojnë më shumë pyetje se sa përgjigje për jetëgjatësinë e virusit sipërfaqësor, simptomat ekzakte në rastin e infektimit apo imunitetin mbas kapërcimit të sëmundjes.

Dhe megjithatë ne shpresojmë që me çdo lajm apo studim të ri të marrim njohuri të reja, sado të vogla.
Kështu ndodh sigurisht edhe në rastin e këtij studimi të publikuar në revistën shkencore “The Lancet – Infectious Diseases”. Studimi merret me rastin e pestë të dokumentuar në botë të riinfektimit me COVID-19, kur pacienti sëmuret sërish me COVID-19 disa javë apo muaj pasi është shëruar një herë nga Corona.

Për të mos krijuar iluzione: Edhe pas këtij studimi vazhdojnë të mos marrin përgjigje pyetjet për imunitetin prandaj kërkimet duhen vazhduar: thuhet në përmbledhjen e studiuesve që kanë marrë pjesë studim. Megjithatë studimi parashtron hipoteza të ndryshme dhe kërkon studime të tjera për të zgjidhur enigmën e çështjes së imunitetit.

Infeksioni i dytë më i rëndë se i pari
Pacienti i studimit të fundit, një 25 vjeçar nga rajoni Washoe i Nevadës, mori dy herë brenda 48 ditëve përgjigje pozitive të analizave që nxorën se ai ishte infektuar nga dy lloje SARS-CoV-2.
Ky rast tregoi se brenda një periudhe të shkurtër kohe mund të shfaqet një infeksion i dytë, që për më tepër mund të jetë më i rëndë se i pari. Nga hera e parë e infektimit në muajin prill 2020 deri në infektimin për herë të dytë, i riu pati bërë dy herë analizat për SARS- CoV-2, dhe pati marrë përgjigje negative.

Por, në qershor të 2020 tek pacienti u shfaqën simptoma të rënda COVID-19, mes të cilave ethe, dhembje koke, të marra mendsh, kollitje, të vjella dhe diare, prandaj ai u dërgua në spital dhe kur bëri analizat mori përgjigje pozitive për infektim të dytë. Ndërkohë ai ka dalë nga spitali dhe është shëruar edhe nga infeksioni i dytë.
Autorët e studimit shkruajnë, se ekspozimi një herë ndaj COVID-19 nuk garanton imunitet të plotë, prandaj duhen bërë analiza të mëtejshme për të parë nëse kemi të bëjmë me reinfektim.

Autorët e studimit këshillojnë që të gjithë personat, pavarësisht nëse janë diagnostikuar apo jo më parë, duhet të marrin masa të njëjta parandalimi për të shmangur infektimin me SARS-CoV-2: pra ruajtje distance, mbajtje maske dhe larje e shpeshtë e duarve.

Riinfektsonet: Aktualisht vetëm mund “të spekulojmë”
“Ka ende shumë gjëra që nuk dihen për infeksionet SARS-CoV-2 dhe reagimin e sistemit imunitar, por rezultatet tona thonë se infektimi një herë me SARS-CoV-2 nuk të mbron patjetër nga një infeksion tjetër”, thotë Marka Pandori nga Laboratori shtetëror i Shëndetit publik në Universitetin e Nevadës, autori kryesor i studimit në fjalë.

“E rëndësishme është të kihet parasysh se kemi të bëjmë me rezultatet e një rasti, dhe nuk mund të bëjmë përgjithësim të fenomenit. Megjithëse nevojiten studimet të tjera, fakti që ekziston mundësia e reinfektimit ka ndikim të madh mbi mënyrën si kuptohet imuniteti në rastin e COVID-19, sidomos kur kemi të bëjmë me mungesën e një vaksine të efektshme.”
Gjenoma e mostrave të virusit të hasur tek pacienti u segmentua në muajin prill dhe qershor dhe tregoi ndryshime domethënëse gjenetike midis dy rasteve, gjë që tregon se pacienti është infektuar dy herë me dy infeksione të ndryshme SARS-CoV-2, thonë studiuesit.

Në botë ka pasur edhe katër raste të tjera të konfirmuara riinfektimi, në Belgjikë, Holandë, Hongkong dhe Ekuador. Por vetëm pacienti i Ekuadorit pati në rastin e riinfektimit ecuri më të rëndë sëmundjeje në krahasim me infektimin e parë.
“Na duhen më shumë studime për të kuptuar sa kohë zgjat imuniteti tek njerëzit që janë ekspozuar një herë ndaj SARS-CoV-2 dhe pse disa prej këtyre infektimeve të dyta megjithëse janë të rralla, janë më të rënda”, thotë Pandori.
“Deri tani kemi parë pak raste riinfektimesh, por kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe raste të tjera, sepse shumë raste të COVID-19 kalojnë pa simptoma. Aktualisht ne vetëm mund të spekullojmë sa i përket shkaqeve të riinfektimit,” thotë autori i studimit.

Njësoj si në rastin e riinfektimit në Ekuador, edhe tek pacienti në SHBA simptomat ishin më të rënda gjatë infektimit të dytë, ndërsa në rastet e Belgjikës, Holandës dhe Hongkongut nuk kishte ndryshime midis rastit të parë dhe të dytë.

Hamdendje të ndryshme
Autorët prezantojnë hipoteza të ndryshme për të shpjeguar gradën e rëndesës gjatë infektimit të dytë: Kështu për shembull që pacienti ka mundësi të ketë hasur më vonë me ngarkesë më të madhe virusi, i cili ka shkaktuar në rastin e dytë reaksion më të madh, ose se ai ka mundësi që të ketë rënë në kontakt me një version më virulent të virusit.

Një hipotezë tjetër është ajo e parimit ADE, Antibody-Dependent-Enhancement (ADE) –përmirësimit të varur prej antitrupave, gjatë të cilave virusi përdor sistemin imunitar për ta infektuar më shumë organizmin – dhe ky mund të jetë një nga shkaqet e gradës së rëndesës në infeksionin e dytë.
Kjo është vërejtur tashmë gjatë virusit Beta të Coronës SARS-CoV dhe gjatë sëmundjeve të tjera si për shembull Dengue. Gjatë këtij mekanizmi antitrupat që rrisin infeksionin ngjiten pas sipërfaqes së virusit, por nuk e luftojnë atë, përkundrazi bëjnë që ai të pranohet më mirë prej qelizës. Kështu nxitet shtimi i virusit.

Përveç kësaj, shkruajnë autorët, ekziston një mundësi megjithëse shumë e vogël e infektimit të vazhdueshëm, pra një lloj forme e deaktivizimit/reaktivizimit. Që kjo hipotezë të jetë e vërtetë, do të duhet të ekzistojë një shkallë e caktuar mutationi e SARS-CoV-2. Virusi vërtet që ka mutacion, por ai nuk ka shkallën e mutacionit të një grupi, shpjegon për Deutsche Welle-n, virologu Hendrik Streeck.

Një shpjegim tjetër do të ishte ai i ekzistencës së një koinfeksioni të njëhershëm të të dy tipeve të viruseve. Kjo do të thoshte se tipi i dytë i virusit ka mbetur i pazbuluar në prill 2020. Dhe anasjelltas, tipi i parë i virusit ka qenë i patestueshëm në qershor 2020.
Autorët pranojnë se nuk janë në gjendje as të bëjnë vlerësime për reagimin e imunitetit në rastin e parë të SARS-CoV-2, as të flasin për efektivitetin e reagimit të imunitetit (për shembull titra antitrupash të neutralizuara) gjatë infektimit të dytë.

Rastet pa simptoma, të pazbuluara
Përveç kësaj nuk duhet harruar, se si rasti nga SHBA ashtu edhe katër rastet e tjera të dokumentuara të riinfektimit janë shfaqur tek pacientë që kanë pasur simptoma të COVID-19. Kjo do të thotë se ekziston mundësia, që shumë infektime dhe riinfektime të personave pa pasur simptoma, prandaj kanë mbetur të pazbuluara nga praktikat aktuale të bërjes së analizave dhe kontrollit.
“Në përgjithësi si në SHBA ashtu edhe në pjesën tjetër të botës mungon një segmentim gjithëpërfshirës i gjenomës pozitive COVID-19, si dhe mundësive të analizave dhe kontrollit, gjë që kufizon aftësinë e studiuesve dhe zyrtarëve të sistemit shëndetit publik që të diagnostikojnë virusin, ta vëzhgojnë dhe të mbërrijnë deri tek gjurmët gjenetike të tij”, shkruan Pandori.

Imunologia Akiko Iwasaki nga Universiteti Yale, SHBA, e cila nuk ka marrë pjesë në studim, shkruan në një koment: “Sa më shumë raste kthimi infeksioni bëhen të ditura, aq më mirë është për komunitetin e shkencës për të kuptuar si funksionon mbrojtja dhe sa shpesh ndikojnë tek imuniteti infeksione të natyrshme me SARS-CoV-2.”
Këto informacione janë çelësi për të kuptuar cilat vaksina do të jenë në gjendje që të mbërrijnë deri tek imuniteti i grupit apo i personave të veçantë.